Në dosjen hetimore të SPAK për goditjen e grupit të strukturuar kriminal të lidhur me AKSHI-në, dalin në dritë detaje të rënda mbi presione, kërcënime dhe plane kriminale për manipulimin e tenderëve publikë dhe eliminimin e pengesave administrative.
Sipas prokurorisë, biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, në bashkëpunim me zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, kanë planifikuar rrëmbimin e Gerond Meçes, pasi ky i fundit ishte bërë pengesë përmes ankimimeve të vazhdueshme ndaj procedurave të prokurimit pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Këto ankime kishin sjellë pezullimin e disa tenderëve, duke bllokuar përfitimet e grupit.
Në dosje përmendet edhe fakti se Meçes i është kërkuar drejtpërdrejt “të rrijë larg AKSHI-t”, presion që sipas SPAK përputhet me pamje dhe komunikime të sekuestruara nga zyra e Ergys Agasit, ku provohen lidhjet shoqërore dhe interesat e përbashkëta mes personave të përfshirë.
Rasti i Damian Gjiknurit dhe bisedat me Alqi Bllakon
Në dokumentet e SPAK zbardhen edhe komunikime të vitit 2019 mes Ergys Agasit dhe Alqi Bllakos, ku flitet për një situatë në të cilën ish-ministri Damian Gjiknuri ishte bërë pengesë për realizimin e planeve të tyre. Në mesazhe shfaqen fraza si “Do e marrin me çdo kusht” dhe “Të bëjë letrat shpejt”, të cilat prokuroria i analizon si pjesë të një mekanizmi presioni për përfitime të paligjshme dhe manipulim vendimmarrjeje.
Kush është “Labi”
Në këto biseda përmendet edhe një person me nofkën “Labi”, i identifikuar nga SPAK si Elgert Bixha. Sipas hetimit, Agasi synonte ta emëronte Bixhën administrator në një shoqëri private që kishte fituar një koncesion nga ministria e drejtuar në atë kohë nga Gjiknuri. Ky emërim nuk u realizua, çka sipas prokurorisë e bëri Gjiknurin një tjetër “pengesë” për grupin.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se Elgert Bixha është administrator i shoqërisë “FORTIS INERT”, ndërsa në dosje përmenden edhe subjekte të tjera biznesi që, sipas SPAK, janë përdorur për të avancuar interesat e paligjshme të grupit.
Kërcënime dhe “modus operandi”
Në një mesazh të datës 6 mars 2019, Ergys Agasi shprehet me gjuhë të drejtpërdrejtë kërcënuese se “do fusim çunat”, frazë që SPAK e interpreton si gatishmëri për përdorimin e forcës dhe lidhjeve me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore për të eliminuar pengesat administrative.
Prokuroria vëren se i njëjti modus operandi është ndjekur si në rastin e Gjiknurit, ashtu edhe ndaj Gerond Meçes, duke forcuar dyshimet se kemi të bëjmë me një skemë të organizuar kriminale për kontrollin e tenderëve publikë.
SPAK thekson se këto prova përforcojnë dyshimin ndaj Ergys Agasit si organizator dhe pjesëmarrës aktiv në veprimtari kriminale, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të skandalit në AKSHI.
