Vetëm një ditë ka zgjatur paraburgimi për presidentin e klubit turk të futbollit Fenerbahçe, Sadettin Saran, i cili është liruar me kusht nga gjykata pas përfundimit të dëshmisë së tij.
Saran po hetohet në kuadër të një çështjeje që lidhet me gjurmë kokaine të konstatuara në flokët e tij, si dhe për dyshime të tjera që kanë të bëjnë me drogën. Gjykata vendosi ta lirojë nga paraburgimi, duke i caktuar masa mbikëqyrjeje gjyqësore, ndërsa hetimet vijojnë.
Në mesditën e së enjtes, më 25 dhjetor, ai u rikthye në zyrat e klubit në Stamboll, ku u prit nga dhjetëra tifozë të Fenerbahçes, të mbledhur për t’i shprehur mbështetjen. Pamjet nga momenti u bënë virale në rrjetet sociale, teksa Saran u shfaq dukshëm i emocionuar dhe u përlot para tifozëve, në çastin kur hyri në ambientet e klubit.
Presidenti i klubit falënderoi mbështetësit për solidaritetin e treguar, ndërsa theksoi se ka besim te drejtësia dhe se do të vijojë detyrën e tij duke respektuar vendimet e autoriteteve. Hetimi ndaj tij mbetet ende i hapur.
