Parlamenti Evropian ka votuar për heqjen e imunitetit parlamentar të eurodeputetes italiane Alessandra Moretti, përfaqësuese e Partisë Demokratike (PD), në kuadër të hetimeve që lidhen me skandalin e njohur si “Qatargate”.
Me 497 vota pro, 139 kundër dhe 15 abstenime, seanca plenare e Strasburgut miratoi vendimin e Komisionit Juridik të Parlamentit Evropian, i marrë më 3 dhjetor, duke i hapur rrugë vijimit të hetimeve nga autoritetet belge.
Ndërkohë, Parlamenti Evropian vendosi të ruajë imunitetin parlamentar për një tjetër eurodeputete të PD-së, Elisabetta Gualmini, e përfshirë gjithashtu në dosjen hetimore.
Pas vendimit, Alessandra Moretti reagoi për agjencinë italiane të lajmeve ANSA, duke shprehur zhgënjimin e saj për rezultatin e votimit.
“Jam e zhgënjyer, sepse elementët mbi të cilët bazohej kërkesa janë hedhur poshtë prej meje me dokumente. Kam përshtypjen se votimi nuk u fokusua te përmbajtja e çështjes, por u ndikua nga strategji dhe interesa politiko-elektorale”, deklaroi Moretti.
Eurodeputetja theksoi se është e gatshme të paraqitet sa më shpejt para prokurorisë për t’u mbrojtur nga akuzat, duke falënderuar njëkohësisht grupin e saj politik dhe kolegë nga parti të ndryshme për mbështetjen.
“Do të vazhdoj të bëj punën time me kokën lart”, u shpreh ajo.
Sipas dosjes hetimore, Moretti dyshohet për kontakte me ish-eurodeputetin Antonio Panzeri dhe për një udhëtim të supozuar në Katar, gjatë të cilit dyshohet se ka marrë si dhuratë një orë luksoze Rolex. Këto akuza janë mohuar kategorikisht nga eurodeputetja, e cila ka deklaruar se nuk ka udhëtuar kurrë në Katar dhe nuk ka marrë asnjë dhuratë të tillë, duke paraqitur edhe pasaportën e saj si provë.
Moretti pranon se, ashtu si shumë eurodeputetë të tjerë italianë dhe evropianë, ka pasur kontakte politike me Panzeri-n dhe Francesco Giorgi-n, me të cilët ka diskutuar çështje politike, përfshirë edhe temën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Katarit në nëntor 2022.
Sa i përket Elisabetta Gualmini-t, hetimet përmendin ekzistencën e bisedave të përgjuara me Panzeri-n, megjithëse ajo gëzonte imunitet parlamentar në kohën kur ato janë regjistruar.
