“Populli është i lodhur dhe kërkon shpëtim” – Lubonja: Rrëzimi i kërkesës së SPAK për Ballukun do ishte goditje e rëndë për drejtësinë, opozita të bashkohet

Data

Analisti Fatos Lubonja ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një moment kritik, ku qytetarët janë të lodhur nga korrupsioni dhe zullumet e akumuluara të qeverisë, ndërsa shpresat e vetme mbeten tek drejtësia.

I ftuar në studion e News24, Lubonja analizoi zhvillimet më të fundit politike, nga kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, te aksionet në AKSH dhe përplasjet brenda opozitës.

Sipas tij, nëse Kuvendi do të rrëzojë kërkesën e SPAK, kjo do të përbëjë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë, por edhe një kosto të madhe politike për mazhorancën, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.

“Nëse kërkesa e SPAK rrëzohet, do të jetë një goditje për drejtësinë. Në popull kjo goditje tashmë është ndjerë, por mendoj se do ketë pasoja edhe nga ndërkombëtarët. Ky është një regjim që i ka pushtetet për të injoruar drejtësinë dhe për të luajtur edhe me BE-në apo Komisionin Europian”, u shpreh Lubonja.

Ai shtoi se megjithëse ka protesta, qytetarët janë të rraskapitur dhe kërkojnë një rrugë shpëtimi. “Kur padrejtësia trashet shumë, bie një ditë”, tha ai, duke theksuar se rreziku i kapjes së drejtësisë nga pushteti mbetet real, gjë që sipas tij është reflektuar edhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Lubonja u shpreh se në një shtet normal, kryeministri Edi Rama do të ishte nën hetim dhe do të kishte humbur legjitimitetin politik. Ai kritikoi ashpër Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se ajo “lau duart” duke shtyrë një vendim të rëndësishëm për më 22 janar, çka sipas tij solli reagimin e SPAK me kërkesa më të forta.

Analisti theksoi se drejtësia po vepron, por duhet të tregojë më shumë kurajo, pasi në lojë është edhe e ardhmja profesionale e prokurorëve. Ai shprehu shpresën që hetimet e SPAK të mos jenë rezultat presioni ndërkombëtar, por guxim institucional.

“Me provat që kanë dalë hapur, me përgjimet që i dinë edhe ndërkombëtarët, do ishte skandal që Rama të mbrohej. Tani të gjithë e shohin se ‘mbreti është lakuriq’”, tha Lubonja.

Sa i përket opozitës, ai nënvizoi se bashkimi i saj është thelbësor, pasi aktualisht është e përçarë dhe e dobët përballë mazhorancës. Lubonja sugjeroi një riorganizim edhe brenda Partisë Demokratike, ku të ketë një grupim pa lider të fortë, me Sali Berishën të distancuar, por jo të eliminuar.

“Opozita ka nevojë të bashkohet rreth një figure ose grupimi të ri, pa e thelluar përçarjen. Debatet e ashpra brenda PD-së rrezikojnë ta copëtojnë edhe më shumë”, përfundoi analisti.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related