Skandal/ Rama sfidon SHBA, ul të pandehurën Balluku krah VanHorn: Akuzat për korrupsion janë bërë modë

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht pas bllokimit të arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke dërguar sinjale sfiduese jo vetëm ndaj SPAK, por edhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë një aktiviteti zyrtar, Rama e vendosi Ballukun krah Ngarkuarës me Punë të SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn, pavarësisht se ajo është nën akuzë për abuzime me tendera.

Në fjalën e tij, kryeministri i cilësoi akuzat për korrupsion si një “trend” apo “modë”, duke ironizuar hetimet dhe perceptimin publik mbi korrupsionin në sektorët strategjikë. Deklaratat u interpretuan si një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj SPAK, i cili ka kërkuar arrestimin e Ballukut, si dhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë që kanë shprehur mbështetje për drejtësinë e re.

Aktiviteti u zhvillua gjatë prezantimit të investimit të kompanisë amerikane CWP për ndërtimin e një parku eolik në zonën e Tropojës. Në këtë ceremoni, Balluku u ul pranë përfaqësueses amerikane, ndërsa kryeministri nuk kurseu ironinë për akuzat e korrupsionit.

“Fjala korrupsion është si këpucët e modës, po nuk e nxori njeriu nga goja duket sikur nuk është në modë. Në këtë sektor kjo fjalë ka marrë përgjigje të vazhdueshme. Këtë dëshmi mund ta japin fare mirë amerikanët që kemi në sektorin privat”, deklaroi Rama.

Më tej, kryeministri theksoi bashkëpunimin e Shqipërisë me vendet e Lindjes së Mesme dhe interesin e Kinës për vendin, duke e paraqitur Shqipërinë si një pikë strategjike për investime globale. Ai u shpreh se pa këtë rëndësi strategjike, sipas tij, Shqipëria nuk do të tërhiqte vëmendjen e aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë.

“Po të mos ishte Shqipëria e rëndësishme potencialisht, kinezët nuk do t’i kishin vënë syrin dhe nuk do ta konsideronin Shqipërinë si pikën e mjaltit në Europë”, u shpreh kryeministri.

Pavarësisht përpjekjeve për të dhënë një imazh normaliteti institucional, ftohtësia dhe distancimi i përfaqësuesve amerikanë nga çështjet e korrupsionit në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë u perceptua qartë. Vendosja e Ballukut pranë zyrtares amerikane u pa nga kritikët si një akt politik i qëllimshëm, në një kohë kur drejtësia kërkon ta vërë atë përpara përgjegjësisë penale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related