Duhanpirësit po përballen me një tjetër rritje të çmimit të paketave të cigareve, si pasojë e rritjes së akcizës për duhanin. Kjo rritje vjen në zbatim të kalendarit 5-vjeçar të miratuar në vitin 2022, i cili parashikonte rritje progresive të akcizës me qëllim dekurajimin e konsumit të duhanit në vend.
Janari 2026 shënon vitin e fundit të këtij kalendari. Akciza për duhanin rritet mesatarisht me 250 lekë për 1.000 fije cigare, çka pritet të reflektohet në çmimin final të paketave me një shtrenjtim prej rreth 20–30 lekësh për konsumatorët.
Deri më 31 dhjetor 2025, detyrimi i akcizës për cigaret dhe purot që përmbajnë duhan ishte 7.500 lekë për 1.000 fije cigare, ndërsa nga 1 janari 2026 ky detyrim është rritur në 7.750 lekë për 1.000 fije cigare.
Ndërkohë, në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027 parashikohet hartimi i një kalendari të ri për rritjen e akcizës së duhanit dhe nënprodukteve të tij për periudhën pas vitit 2027. Qëllimi është përafrimi gradual me nivelin e akcizës që aplikohet në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe unifikimi i taksimit mes produkteve tradicionale të duhanit dhe nënprodukteve të tij.
Sipas dokumenteve zyrtare, në Shqipëri për duhanin ende nuk aplikohet një skemë e kombinuar taksimi, e cila do të përfshinte një tarifë fikse për njësi produkti dhe një tarifë përqindjeje mbi çmimin e shitjes, siç ndodh në shumë vende të BE-së.
Të dhënat tregojnë se një në katër të rritur në Shqipëri konsumon duhan, ose rreth 25% e popullsisë madhore. Një studim i organizatës Development Solutions Associates tregon se niveli i duhanpirjes është veçanërisht i lartë te meshkujt, ku rreth 42% konsumojnë duhan, ndërsa te femrat kjo shifër është rreth 7%.
Akciza përbën rreth 11% të të ardhurave tatimore vjetore në vend, ndërsa rreth 35% e të ardhurave nga akciza sigurohen nga produktet dhe nënproduktet e duhanit.
