Sipas ligjvënëses demokrate, programi ekonomik i PD-së synon të sjellë barazi mundësish për të gjithë qytetarët, tërheqje të investimeve, rritje të prodhimit vendas dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke e përgatitur Shqipërinë për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.
“Një ekonomi e fortë do të thotë një Shqipëri e fortë. Ky është angazhimi ynë dhe ne nuk do të ndalemi derisa të bëhet realitet”, theksoi Tabaku.
Ajo foli dhe mbi sipërmarrjen dhe modelin ekonomik që ofron PD, duke paraqitur një vizion të qartë për një Shqipëri me ekonomi të lirë dhe se PD është e vendosur të rikthejë rregullat e lojës në ekonomi, duke krijuar një mjedis të ndershëm për sipërmarrësit dhe duke luftuar klientelizmin dhe monopolin.
Një nga pikat kyçe të programit të prezantuar nga Tabaku ishte krijimi i Kodit të ri Fiskal, një reformë e thellë që do të rregullojë të gjitha politikat tatimore mbi baza të qarta dhe të parashikueshme për bizneset dhe qytetarët.
“Ky kod nuk do të ndryshohet sipas interesave të pushtetit, por do të jetë një kornizë e qëndrueshme ligjore që garanton taksa të drejta dhe konkurrencë të ndershme”, u shpreh Tabaku.
Ajo nënvizoi se ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal kanë krijuar një sistem të padrejtë dhe të ndikuar nga klientelizmi. Për këtë arsye, PD angazhohet për një taksë të sheshtë 10%, e njëjtë si për individët ashtu edhe për bizneset, duke ulur kështu barrën e tepërt fiskale që ka dëmtuar sipërmarrësit e ndershëm.
Sipas Tabakut, shteti është pengesa kryesore për sipërmarrësit. Ajo denoncoi subvencionet klienteliste dhe kontratat korruptive të qeverisë socialiste që kanë krijuar një ekonomi të pabarabartë, ku vetëm një grup i vogël përfiton, ndërsa shumica e biznesve përballen me vështirësi.
“PD propozon eliminimin e kontratave korruptive të PPP-ve, një rishikim tërësor të buxhetit dhe shpenzimeve të shtetit, si dhe një qeverisje më të vogël dhe më efektive që vendos theksin tek inovacioni dhe zhvillimi ekonomik. Tabaku gjithashtu premtoi reformimin e tregut të pronës, për të siguruar një mjedis të favorshëm për investime afatgjata dhe formalizimin e ekonomisë”, tha ajo.
Një tjetër pikë kyçe e programit ekonomik të PD-së është digjitalizimi i plotë i shërbimeve për bizneset, duke lehtësuar procedurat dhe ulur korrupsionin administrativ.
“Bizneset nuk mund të vazhdojnë të jenë viktima të inspektimeve të porositura nga qeveria, prandaj ne do të vendosim rregulla të qarta për kontrollet tatimore, të cilat do të bazohen vetëm mbi analiza risku dhe jo mbi shantazhe politike”, u shpreh Tabaku.
Fjala e mbajtur e Jorida Tabakut:
“Tani dua t’i drejtohem sipërmarrësve të ndershëm, që cdo ditë nga mëngjesi në darkë mbajnë gjallë ekonominë e vendit, punësojnë paguajnë taksa ndershmërisht dhe përballen me një një sistem të pandershëm, që nuk punon për ta dhe që është produkt i ligjeve klienteliste dhe me porosi, të cilat kanë vrarë ekonominë tonë dhe mbi të gjitha shpirtin sipërmarrës. Ata përballen përditë me një sistem të pandershëm taksimi, një sistem të pandershëm incentivash ekonomike dhe taksash që nuk I ndihmon por I dekurajon në punën e tyre.
