Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas bllokimit të akseve rrugore që lidhin Tiranën me juglindjen e vendit, duke e cilësuar situatën si pasojë të korrupsionit dhe keqmenaxhimit të fondeve publike.
Në reagimin e tij, Bardhi u shpreh se dhuna ndaj qytetarëve nuk është vetëm ajo e ushtruar në protesta, por edhe ajo që, sipas tij, shkaktohet nga neglizhenca në mirëmbajtjen e rrugëve.
Ai përmendi tenderat për infrastrukturën rrugore, duke pretenduar se fondet e mëdha të akorduara nuk janë reflektuar në cilësinë e akseve, të cilat sot, sipas tij, po çahen dhe po bllokohen.
Sipas Bardhit, për orë të tëra juglindja e vendit ka qenë në kaos, me të moshuar dhe familje me fëmijë të bllokuar në rrugë. Ai bëri thirrje për reagim qytetar dhe theksoi se, sipas tij, vetëm presioni publik mund të sjellë ndryshim.
