Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua të hënën me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për veprat penale korrupsion, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.
Sipas SPAK, Veliaj së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.
Të dhënat e dosjes hetimore të analizuara nga BIRN tregojnë se 12 shoqëri tregtare dhe organizata jofitimprurëse, të cilat përfitonin fonde direkt nga Bashkia e Tiranës me firmën e Erion Veliajt, i kanë paguar më shumë se 110 milionë lekë (1.1 milionë euro) disa kompanive dhe OJF-ve të kontrolluara nga bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa.
