Shtohen telashet për Berishën, nisin procedurat e kërkesës për rihapjen e dosjes së Remzi Hoxhës në SPAK, bëhen gati…

Data

Një nga dosjet më të mistershme që nuk u zbardh kurrë është zhdukja që në vitin 1995 e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha nga SHIK-u i Bashkim Gazidedes. Edhe pse ish-kryeministri Sali Berisha bëri të pamundurën me drejtësinë e vjetër që të shpëtonte nga makthi i zhdukjes së Remzi Hoxhës, i cili rastësisht kishte filmuar takimin e ish Presidentit shqiptar me Milosheviçin dhe Gligorovin në Shën Naum, tashmë çështjen mund ta marrë në duar Prokuroria e Posaçme. SPAK mund t’i japë fund njëherë e mirë kalvarit 29 vjeçar të zhdukjes së biznesmenit Hoxha. Burime bëjnë me dije se djali i Remzi Hoxhës dhe familjarët e tjerë të tij, posaçërisht aktori i madh i hapësirave shqiptare, Xhevat Linani, kunati i Remzi Hoxhës, kanë pajisur me një prokurë të përgjithshme avokatin e njohur Idajet Beqiri për të bërë të mundur rihapjen e këtij procesi dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të Sali Berishës, si ideatori dhe urdhëruesi kryesor i vrasjes së Remzi Hoxhës. Z.Beqiri ka bërë të ditur për gazetën “SOT” se i ka kërkuar GJKKO dosjen penale të Remzi Hoxhës viktimë. Ndërkohë avokati ka nisur përgatitjen e kallëzimit penal. Ai bën të ditur se po “qepen” provat dhe emrat e dëshmitarëve që mund të zbardhin vrasjen e Remzi Hoxhës, duke nisur nga dëshmitë e Izet Haxhisë dhe deri te eksponentë të SHIK-ut që janë gjallë dhe për gjithë këto vite janë mbajtur me presione e kërcënime nga Sali Berisha. Sipas Idajet Beqirit, Berisha kur ishte në krye të qeverisë, pak para se ta largohej nga pushteti përdori të gjitha mënyrat që të mbante nën kontroll ish SHIK-asit që rrëmbyen dhe zhdukën Remzi Hoxhën në Kune Vain të Lezhës.

l

Dëshmia e Izet Haxhisë

Idajet Beqiri gjithashtu tregon se për dosjen në SPAK do të përdorë edhe dëshminë e Izet Haxhisë, i cili akuzon ish-shefin e tij Sali Berisha si vrasësin e Remzi Hoxhës. “Ishte 21 tetori i vitit 1995 kur ka ndodhur ngjarja makabër që sa herë përmendet trondit mbarë opinionin shqiptar. Për këtë ngjarje ka folur në intervistat e tij edhe klienti im Izet Hazhia. Faktet që do të çoj në SPAK ai i ka rrëfyer edhe në Prokurorinë e krimeve të rënda. Rrëfimi dhe detajet e reja që ka dhënë Izeti për këtë ngjarje janë tronditëse dhe të kujtojnë krimet monstruoze të Mafias dhe Gestapos. Pas dëshmisë së tij në Prokurori, unë pata një takim të gjatë me Izetin. Një pjesë të përmbledhur të dëshmisë së tij për zhdukjen e Remzi Hoxhës që do të depozitohen si provë në SPAK, po i sjell për gazetën “SOT”. Pasi u njoh me deklarimet e djalit të Remzi Hoxhës dhe të ish prokurorit Lahi lidhur me zhdukjen e këtij eksponenti të lëvizjes për çlirimin e Kosovës, Izet Haxhiaj më deklaroi disa prej deponimeve kryesore që ai ka bërë para Prokurorisë së Krimeve të Rënda lidhur me këtë çështje. Sipas Izet Haxhisë ekzekutimi i Remzi Hoxhës ishte makabër dhe një veprim i mirërakorduar i shërbimit të fshehtë maqedonas dhe SHIK-ut të Shqipërisë të drejtuar nga Bashkim Gazidede. Remzi Hoxha pasi u vu në gjurmë të takimit Millosheviç-Gligorov-Berisha si dhe pasi mësoi dy objektivat e mëdha që do të arriheshin nga ky takim, i cili u konkretizua me një marrëveshje, e ka filmuar të gjithë takimin dhe bisedat e zhvilluara. Një kopje të këtij regjistrimi ia ka dorëzuar Ibrahim Rugovës. Shërbimi i fshehtë maqedonas është vënë në dijeni të këtij fakti dhe, të bindur se në atentatin kundër ish Presidentit të Maqedonisë Kiro Gligorov kishte dorë edhe Remzi Hoxha, kanë bërë planin e marrjes peng të tij. Këtë aksion e kanë udhëhequr vetë Kreu i SHIK-ut të asaj kohe, famëkeqi Bashkim Gazidede dhe Ilir Kumbaro. Pasi është marrë peng dhe është çuar në Vain, në ndërtesën e famshme të SHIK të Gazidedes, disa prej krerëve të këtij shërbimi famëkeq, nën drejtimin e Kumbaros, dhe me ndihmën e tre personave të Njësisë Operative që ishte krijuar atëherë dhe vepronte në kuadër të SHIK-ut, e kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore Remzi Hoxhën për të nxjerrë se për llogari të kujt kishte zbuluar, përgjuar dhe regjistruar takimin e fshehtë dhe djallëzor antishqiptar Millosheviç- Gligorov- Berisha dhe në duart e kujt kishte rënë ky regjistrim”, shprehet Idajet Beqiri

Roli i personazhit kyç që zbardh vrasjen

Më pas avokati tregon se Izet Haxhia i ka thënë se personazhi kyç që sot mund të zbardhë vrasjen është në Angli. Ai thotë se Berisha e pajisi me pasaportë diplomatike. “Njëri prej anëtarëve të Njësisë Operative të SHIK-ut, i cili pasi u ekzekutua Remzi Hoxha u pajis me pasaportë diplomatike prej Sali Berishës dhe sot gjendet në Angli, i ka shpjeguar Izet Haxhisë detaje sesi u mbeti në duar i vdekur nga torturat Remzi Hoxha. Ai ka pohuar se Remzi Hoxha nuk e hapte gojën dhe e ruajti deri në vdekje sekretin. Pasi Remzi Hoxha i vdiq në duar këtij punonjësi të Njësisë Speciale të SHIK, Ilir Kumbaro ka shkuar urgjent në Tiranë dhe ka informuar kreun e SHIK Bashkim Gazidede. Izet Haxhia, si dëshmitar okular, ka parë që në Vilën 4 ku qëndronte Sali Berisha, ka ardhur Bashkim Gazidede me gjithë Ilir Kumbaro. Më ka bërë përshtypje të madhe, pohon Izet Haxhia fakti që te Vila 4 vinte Bashkim Gazidede, por kurrë një vartës i tij, siç ishte Ilir Kumbaro! Pasi kanë biseduar për pak minuta brenda në Vilën 4 atë natë fund tetori, ka deklaruar Izet Haxhiaj, Sali Berisha ka dalë jashtë Vilës me Ilir Kumbaro dhe shëtisnin në ambientet jashtë kësaj Vile duke biseduar të shqetësuar. Bashkim Gazidede qëndronte brenda në Vilë. Pas afro 2 orë bisedë Ilir Kumbaro dhe Bashkim Gazidede janë larguar nga Vila 4. Punonjësi i Njësisë Operative të SHIK-ut, të cilit i mbeti në duar i vdekur nga torturat Remzi Hoxha, i ka pohuar Izet Haxhisë se Ilir Kumbaro është rikthyer në Vain, në dhomën ku ishte i vdekur Remzi Hoxha dhe u ka bërë të ditur gjithë grupit të ekzekutimit të tij detajet e fshehjes së të gjitha gjurmëve të këtij krimi”, tha Idajet Beqiri.

Si e vranë Remzi Hoxhën?

Më pas Izet Haxhia ka treguar detaje nga krimi i Sali Berishës. “Remzi Hoxha është futur në një thes dhe i është lidhur në trup një masë si shtyllë betoni. E kanë hipur në një varkë dhe e kanë transportuar në thellësi të detit, në drejtimin direkt me dhomën ku mbeti i vdekur. Pasi kanë bërë një udhëtim disi të gjatë me këtë varkë, e kanë hedhur në det. Ilir Kumbaro dhe tre punonjësit e Njësisë Operative të SHIK kanë qenë në varkë bashkë me kufomën e Remzi Hoxhës. Izet Haxhiaj ka deklaruar gjithashtu se njëri prej punonjësve të Njësisë Operative të SHIK është vrarë më pas prej bashkëpunëtorëve të Berishës në kuadrin e mbulimit të krimit të vrasjes së Remzi Hoxhës. Ndërsa personi ekzekutor u arratis nga Shqipëria me pasaportë diplomatike dhe jeton në Angli. Ndërsa të gjithë personat e tjerë që kishin dijeni për këtë krim dhe për shumë krime të tjera të kryera nën drejtimin, nxitjen, frymëzimin e Sali Berishës, janë eliminuar prej tij me një substancë kimike të rrallë. Izet Haxhia përmend eliminimin me këtë lloj substance të Butjon Meçes, të Prokurorit Xhevat Hana, të ish kreut të SHIK Bashkim Gazidede, të ish sekretares së Sali Berishës, Linda Ihsani, të ish kreut të SHIK Kujtim Hysenaj e ndonjë tjetër, të cilët kishin dijeni për ekzekutimin e Remzi Hoxhës dhe për disa vepra të tjera penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, njerëzore dhe kombëtare të kryera nga Sali Berisha. Izet Haxhia i ka kërkuar në atë kohë Prokurorisë së Krimeve të Rënda që të bëjnë aktet mjeko-ligjore të të gjithë personave të lartpërmendur, të cilët nuk janë më në këtë jetë, për të nxjerrë shkakun e vdekjes së njëllojtë të tyre nga kjo substancë që atyre u është injektuar nga ekzekutorët e futur prej Berishës”, tha Idajet Beqiri.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related