“Korridori VIII, simbol i dështimit të qeverisjes”/ Jorida Tabaku: Mungesë standardesh europiane

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur akuza të forta ndaj mënyrës se si po menaxhohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, Korridori VIII, duke e cilësuar atë si “simbol të dështimit të modelit të qeverisjes”.

Nga Elbasani, përmes një video-mesazhi, ajo theksoi se ky projekt strategjik, i cili synon të lidhë Shqipërinë me rrjetet europiane të transportit dhe të lehtësojë qarkullimin ndërkombëtar, po zbatohet pa standardet e kërkuara dhe me probleme serioze në çdo fazë.

Sipas Tabakut, rëndësia e këtij korridori shkon përtej një aksi rrugor, pasi ai lidhet historikisht me Via Egnatia dhe ka potencialin ta kthejë Shqipërinë në një nyje kyçe lidhëse mes rajonit dhe Europës. Megjithatë, ajo thekson se ky potencial po humbet për shkak të mungesës së vizionit dhe planifikimit.

Deputetja demokrate evidentoi se një nga problemet kryesore është mungesa e një strategjie të integruar zhvillimi. Sipas saj, investimet janë të fragmentuara dhe nuk ekziston një plan i qartë që të lidhë infrastrukturën rrugore me atë hekurudhore apo me nyjet kryesore ekonomike.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj lidhet me cilësinë e punimeve. Tabaku deklaroi se segmentet e ndërtuara nuk përmbushin standardet minimale europiane, si për sigurinë rrugore, ashtu edhe për parametrat teknikë, duke e bërë të vështirë integrimin e këtij projekti në rrjetet e Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Ajo ndaloi gjithashtu tek problematikat që lidhen me projektet dhe tenderët në Porti i Durrësit, duke i cilësuar ato si pjesë e një modeli që pengon zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës strategjike në vend.

Në përfundim, Tabaku theksoi se situata aktuale e Korridorit VIII tregon qartë hendekun mes retorikës së integrimit europian dhe realitetit në terren. Sipas saj, mungesa e standardeve, korrupsioni dhe paaftësia institucionale po e pengojnë Shqipërinë të përfitojë nga një projekt që mund ta poziciononte ndryshe në hartën e transportit europian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related