Lufta kundër Iranit mund të ketë nisur si një operacion i koordinuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në fund të muajit shkurt, por me kalimin e javëve u bënë gjithnjë e më të dukshme dallimet mes Uashingtonit dhe Tel Avivit lidhur me objektivat strategjikë të konfliktit.
Sipas një analize të publikuar nga The Washington Post, Izraeli synonte rrëzimin e regjimit iranian dhe besonte, bazuar në informacionet e inteligjencës, se ky objektiv ishte i realizueshëm. Ndërkohë, administrata amerikane e konsideronte të pamundur arritjen e këtij qëllimi gjatë konfliktit dhe u fokusua kryesisht në dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit.
Në muajt mars dhe prill, SHBA intensifikoi përpjekjet diplomatike për të rikthyer negociatat me Teheranin, duke i kërkuar Izraelit të shmangte eliminimin e figurave politike iraniane që konsideroheshin pragmatike dhe që mund të luanin rol në një proces të mundshëm dialogu.
Aaron David Miller, ish-zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe këshilltar i disa administratave amerikane, deklaroi për gazetën se:
“Kjo tregon divergjencën e objektivave të luftës mes SHBA-së dhe Izraelit dhe pasqyron vendosmërinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të minuar çdo negociatë përmes së cilës Uashingtoni mund të arrinte një marrëveshje.”
Sipas burimeve të cituara nga The Washington Post, tensionet mes dy aleatëve u thelluan pas vrasjes së Ali Larijanit, një prej figurave më të larta të sigurisë kombëtare iraniane.
Një zyrtar perëndimor, i cituar nga gazeta, e cilësoi këtë ngjarje si momentin vendimtar të përçarjes mes SHBA-së dhe Izraelit.
“Pika e kthesës nuk ishte vrasja e Ali Khameneit, por eliminimi i Ali Larijanit. Uashingtoni po kërkonte një zyrtar iranian me të cilin mund të zhvillonte negociata dhe, papritur, ai nuk ishte më,” tha zyrtari.
Artikulli kujton gjithashtu se në mars, presidenti amerikan Donald Trump la të kuptohej publikisht se fushata izraelite e vrasjeve të synuara kishte komplikuar përpjekjet diplomatike me Iranin.
“E dini, është pak e vështirë… Ata pothuajse i kanë eliminuar të gjithë. Unë nuk dua t’i vras,” u shpreh Trump në një deklaratë për gazetarët.
