Myler para finales me Mesin: “Dëmtimi? S’ka rëndësi, do të jem në fushë. Kjo finale është gjithçka për mua”

Data

Tomas Myler, tashmë pjesë e Vancouver Whitecaps, doli para mediave me humor dhe vendosmëri teksa foli për finalen e madhe të MLS kundër Inter Miami-t të Lionel Mesit. Në moshën 36-vjeçare, pas një epoke të lavdishme te Bajerni i Mynihut, gjermani është gati të luftojë për një tjetër trofe të rëndësishëm.

“Kuptoj që gjithçka përqendrohet te Mesi, tek unë, te emrat e mëdhenj, por në fushë do të jenë dy ekipe me stil loje shumë tërheqës dhe argëtues,” tha Myler me buzëqeshje. Ai rrëfeu se është gjithmonë kënaqësi të rikthehet përballë ish-rivalëve të vjetër si Buskets dhe Zhordi Alba: “Nuk jemi aq të afërt, por gjithmonë i kam ndjekur. Ishin dhe mbeten lojtarë të shkëlqyer.”

Sa i përket finales, veterani shprehu qetësi dhe besim:

“Kam pasur shumë përvoja të mëdha në ndeshje të tilla. Më kanë dhënë siguri, por sot nuk ka rëndësi çfarë kam bërë më parë. Kjo ndeshje ka peshën e vet.”

Ndërkohë, çështja që i interesoi të gjithëve ishte gjendja e tij fizike pas dëmtimit në pulpë. Myler u përgjigj me stilin e tij karakteristik:

“Nuk e di si është… e dini ju?” – tha me shaka.

“Më seriozisht: nuk ka rëndësi. Unë do të jem atje. Kjo finale është gjëja më e rëndësishme në jetën time. Citim i bukur, apo jo? Bum.”

Me këtë deklaratë plot energji, Myler ndau qartë mesazhin: ai nuk ka ndërmend të humbasë mundësinë për të sfiduar Mesin në një finale historike për të.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related