Gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e Partisë Demokratike përpara Kuvendit, gazetari Bledi Kasmi ka artikuluar akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare, duke e krahasuar situatën në Shqipëri me atë të Venezuelës dhe duke e cilësuar vendin si një “narko-regjim” në prag rrëzimi.
Kasmi deklaroi se Shqipëria po përjeton një kapje totale të institucioneve, mediave dhe drejtësisë, ndërsa paralajmëroi se, sipas tij, ndryshimet gjeopolitike të nisura nga SHBA kundër regjimeve të tilla nuk do të ndalen dhe se Shqipëria do të jetë ndër vendet e radhës.
Në foltoren para Kryeministrisë, ai denoncoi një rast konkret që, sipas tij, tregon lidhjen mes pushtetit politik, drejtësisë dhe medias. Kasmi pretendoi se kryeministri ka blerë një truall me vlerë 2.9 milionë euro, nga paratë publike, nga një kandidate për Gjykatën Kushtetuese dhe se kjo pronë më pas i është dhuruar botuesit Carlo Bollino.
Sipas Kasmit, ky veprim përbën provë të qartë të kontrollit të mediave nga qeveria dhe përdorimit të drejtësisë për interesa politike.
Ai theksoi se tregu mediatik në Shqipëri dominohet nga tre familje, të cilat zotërojnë shumicën e mediave kombëtare dhe, sipas tij, shërbejnë interesave të qeverisë dhe grupeve kriminale. Kasmi iu referua raporteve ndërkombëtare, duke thënë se ato evidentojnë mungesën e pavarësisë mediatike dhe kontrollin e informacionit gjatë zgjedhjeve.
Në fjalën e tij, Kasmi përmendi edhe 35-vjetorin e gazetës “Rilindja Demokratike”, duke e cilësuar atë si simbol të lirisë së fjalës dhe duke theksuar se sot, pas 35 vitesh, situata e medias është, sipas tij, po aq e rëndë sa në fillim të viteve ’90.
Ai krahasoi Shqipërinë me Venezuelën dhe Kolumbinë, duke deklaruar se modelet e “narko-regjimeve” janë të njëjta: varfëri e thellë, emigrim masiv, kapje e shtetit dhe persekutim i opozitës. Sipas tij, një në dy shqiptarë jeton në prag të varfërisë, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë është detyruar të largohet nga vendi.
Kasmi përfundoi duke deklaruar se, pavarësisht kontrollit mbi institucionet dhe mediat, shpresa mbetet tek gazetarët dhe mediat e pakta që vazhdojnë të rezistojnë, duke paralelizuar këtë moment me vitin 1991 dhe duke thënë se edhe një zë i vetëm mund të sjellë ndryshimin.
