Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar 35-vjetorin e themelimit të gazetës Rilindja Demokratike, duke e cilësuar atë si simbol të fjalës së lirë dhe pluralizmit politik në Shqipëri. Në fjalën e mbajtur gjatë foltores përpara Kryeministrisë, Berisha u shpreh se kjo përvjetorë përkon me një moment kritik për lirinë e medias në vend.
Sipas tij, sot fjala e lirë dhe mendimi i pavarur janë më të dhunuara se kurrë gjatë këtyre 35 viteve, ndërsa një pjesë e madhe e mediave, sipas Berishës, kontrollohen nga qeveria dhe nga grupe kriminale.
Berisha akuzoi qeverinë se ka shndërruar mediat në instrumente propagande, mashtrimi dhe manipulimi të opinionit publik, duke shërbyer interesave të pushtetit dhe organizatave kriminale.
“Media të kontrolluara nga qeveria janë kthyer në zëdhënëse të krimit qeveritar dhe të karteleve të drogës. Kurrë më parë organizatat kriminale nuk kanë pasur aq ndikim mbi median sa sot,” u shpreh ai.
Sipas Berishës, qytetarët shqiptarë mashtrohen çdo ditë përmes ekraneve, portaleve dhe studiove televizive, ndërsa e vërteta fshihet ose deformohet. Ai e krahasoi këtë situatë me regjimet autoritare, ku media përdoret për të justifikuar dhe normalizuar të keqen.
Megjithatë, Berisha theksoi se ende ekzistojnë gazetarë dhe analistë të pavarur, të cilët, sipas tij, punojnë në kushte të vështira, shpesh pa mbështetje financiare, për të nxjerrë në dritë të vërtetat dhe për të hetuar aferat e qeverisë.
“Ka ende gazetarë trima dhe guximtarë që, me sakrifica të mëdha, u tregojnë qytetarëve të vërtetën dhe denoncojnë krimet e këtij regjimi,” tha ai, duke u shprehur mirënjohje për punën e tyre.
Në përmbyllje, Berisha garantoi se programi politik i Partisë Demokratike ka në themel mbrojtjen e lirisë së shprehjes, dinjitetin e gazetarëve dhe garantimin e një media të lirë dhe të pavarur.
