Policia ka larguar paraditen e së dielës protestuesit që kishin kaluar natën përpara godinës së Kryeministrisë, një formë proteste që, sipas organizatorëve, po zhvillohej prej rreth një jave.
Pas largimit të qytetarëve, efektivët hoqën edhe këpucët e vendosura në shkallët e Kryeministrisë, të cilat protestuesit i kishin lënë si simbol të emigrimit të të rinjve dhe mungesës së perspektivës në vend.
Veprimi i policisë u kundërshtua nga disa prej të pranishmëve. Gjatë ndërhyrjes pati momente tensioni verbal mes protestuesve dhe efektivëve, të cilët kishin krijuar një kordon sigurie përpara godinës.
“Mos i prekni këpucët, kjo është vjedhje e vullnetit popullor. Mos i ngacmoni veprat artistike të vendosura nga populli. Ky është territor publik”, u dëgjua të thoshte një protestues përmes megafonit.
Ndërkohë, organizatorët kanë konfirmuar se gjatë mbrëmjes do të zhvillohet protesta e 29-të radhazi kundër qeverisë. Sipas tyre, kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese.
