Shqipëria po përjeton një nga transformimet më të thella demografike të dekadave të fundit, me largimin masiv të moshave të reja drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Cens Hub i BE-së, rreth 2.2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit, ndërsa struktura e tyre moshore tregon qartë se emigracioni është dominuar nga të rinjtë dhe moshat aktive ekonomikisht.
Rreth 70% e shqiptarëve që jetojnë në vendet e BE-së janë nën moshën 45 vjeç, ndërsa mbi 60% janë në moshë pune aktive (15–49 vjeç). Grupi më i madh është ai i moshës 30–49 vjeç, i cili përbën 40.7% të totalit, duke treguar se largimi nuk ndodh vetëm në moshat e hershme, por edhe në kulmin e produktivitetit profesional dhe familjar.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një balancë gjinore pothuajse të barabartë mes meshkujve dhe femrave, çka dëshmon se emigrimi nuk është më një fenomen individual apo kryesisht mashkullor, por gjithnjë e më shumë familjar dhe i qëndrueshëm.
Në kontrast të fortë, popullsia rezidente në Shqipëri po plaket me ritme të shpejta. Pesha e grup-moshave mbi 50 vjeç është rritur ndjeshëm, ndërsa të rinjtë dhe moshat aktive po tkurren nga viti në vit. Brenda vendit, rënia e lindshmërisë ka ulur ndjeshëm edhe përqindjen e fëmijëve në strukturën e popullsisë.
Ndërkohë, në diasporë, moshat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 5%, ndërsa ato mbi 85 vjeç janë pothuajse të papërfillshme. Kjo tregon se emigracioni shqiptar është kryesisht emigracion i kapitalit njerëzor, jo i pensionistëve.
Edhe grup-mosha nën 15 vjeç ka një peshë të konsiderueshme jashtë vendit, rreth 19%, çka tregon se shumë familje shqiptare po vendosen përfundimisht jashtë Shqipërisë, duke ndërtuar jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre në vende të tjera.
Në aspektin ekonomik dhe social, ky realitet nënkupton se Shqipëria po “eksporton” në mënyrë disproporcionale forcën e saj më vitale të punës, ndërsa brenda vendit po rritet presioni mbi sistemin e pensioneve, shëndetësinë dhe financat publike.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se shqiptarët në Europë janë, mesatarisht, më të rinj edhe krahasuar me popullsitë e vendeve pritëse, duke thelluar më tej hendekun demografik mes Shqipërisë dhe vendeve ku ata emigrojnë.
Migrimi shqiptar nuk është një fenomen i ri, por ai vijon të mbetet një nga faktorët më përcaktues të realitetit demografik, social dhe ekonomik të vendit, me pasoja afatgjata që po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
