Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mbrëmjen e së dielës kryeqytetin grek, Athinën.
Dy persona, mes tyre një shtetas shqiptar dhe një i mitur me origjinë nga Rusia, kanë mbetur të plagosur rëndë me thikë pas një përleshjeje të ndodhur në mes të rrugës, në rrethana ende të paqarta.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, në rrugën Acharnon nr. 271, ku banorët e zonës kanë njoftuar policinë pasi kanë parë dy persona të shtrirë në rrugë, të mbuluar në gjak.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Evangelismos, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje shumë kritike për jetën, për shkak të plagëve të rënda në zonën e barkut. Gjendja shëndetësore e personit tjetër raportohet serioze, por e stabilizuar.
Autori i dyshuar i sulmit është larguar nga vendngjarja dhe ndodhet në kërkim nga policia greke, e cila ka nisur një operacion për identifikimin dhe kapjen e tij.
Ende nuk dihet nëse përleshja ka qenë rezultat i një konflikti mes grupeve rivale apo një grindje e çastit për motive të dobëta. Hetimet janë në vijim për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe shkaqet e ngjarjes.
Policia po analizon dëshmitë e banorëve dhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, ndërsa priten detaje të reja në orët në vijim.
