Protesta e 25-të në Tiranë, qytetarët rikthehen para Kryeministrisë: “Rama jep dorëheqjen”

Data

Qytetarët do të mblidhen edhe këtë mbrëmje në Tiranë në protestën e 25-të radhazi, duke vijuar mobilizimin kundër qeverisë dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Organizatorët e kanë cilësuar tubimin e sotëm si një tjetër moment të rëndësishëm të lëvizjes qytetare, e cila prej më shumë se tre javësh po zhvillon protesta të përditshme në kryeqytet. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet e pandryshuar: largimi i kryeministrit dhe i qeverisë aktuale.

Sipas pjesëmarrësve, protesta ka tejkaluar tashmë motivet fillestare dhe është shndërruar në një reagim më të gjerë ndaj korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së transparencës dhe largimit të të rinjve nga vendi.

Mbrëmjen e kaluar u zhvillua protesta e 24-t, gjatë së cilës qytetarët marshuan në disa akse kryesore të Tiranës, përpara se të riktheheshin para godinës së Kryeministrisë. Aty u mbajtën fjalime dhe u përsërit thirrja që është bërë simbol i këtyre tubimeve: “Rama jep dorëheqjen!”.

Protestuesit mbajtën pankarta dhe parulla kundër qeverisë, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë edhe në protestën e sotme, duke theksuar se lëvizja do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të saj.

Tubimi pritet të nisë në orët e mbrëmjes para godinës së Kryeministrisë, ndërsa autoritetet kanë marrë masat për mbarëvajtjen dhe sigurinë e protestës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related