Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama ndodhet në panik të plotë për shkak të dosjeve të rënda që, sipas tij, po hetohen nga drejtësia dhe që lidhen drejtpërdrejt me qeverinë.
Gjatë një prononcimi publik, Berisha u shpreh se dosja e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe ajo e AKSHI-t janë “gurë të rëndë mbi shpatullat e Ramës”, pasi në thelb, sipas tij, nuk janë dosje individuale, por çështje që implikojnë vetë kryeministrin.
“Rama është i tmerruar. Po shpenzon dhjetëra e qindra milionë euro për të dalë nga rrethi i kuq, por nuk do t’ia dalë. Dosjet Balluku dhe AKSHI nuk janë dosje të ministrave, janë dosje të Ramës”, deklaroi Berisha.
Sipas liderit të opozitës, këto çështje lidhen me afera të rënda financiare, keqmenaxhim fondesh publike dhe lidhje të qeverisë me interesa të errëta, ndërsa shtoi se arroganca e kryeministrit ndaj qytetarëve dhe fermerëve është pasojë e presionit që ai ndjen nga hetimet.
Berisha akuzoi Ramën se po përdor pushtetin dhe paratë publike për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët e tij, por theksoi se “asnjë propagandë dhe asnjë shpenzim nuk mund ta shpëtojë nga përgjegjësia”.
Në fund, kreu i PD-së u shpreh se e vërteta po del në dritë dhe se, sipas tij, këto dosje do të jenë vendimtare për fatin politik të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
