Shembja e rrugës Librazhd–Përrenjas nën hetim, dyshime për probleme në projektin Elbasan–Qafë Thanë

Data

Shembja e një segmenti të rrugës Librazhd–Përrenjas, që për disa ditë izoloi juglindjen e vendit nga pjesa tjetër e Shqipërisë, është bërë objekt hetimi nga Prokuroria e Elbasanit.

Ngjarja ndodhi në një segment të aksit Elbasan–Qafë Thanë, ku një pjesë e rrugës u dëmtua rëndë si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në zonën e Dragostunjës, deklaroi se një nga shkaqet kryesore ishte natyra dhe kushtet gjeologjike të terrenit.

Nga ana tjetër, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, tha se sondimet kanë zbuluar praninë e pellgjeve të ujit nën rrugë dhe se gërryerja e lumit Shkumbin nuk ka lidhje me dëmtimin e segmentit.

Megjithatë, disa inxhinierë dhe ekspertë të infrastrukturës kanë ngritur dyshime se shkaqet mund të lidhen edhe me ndërhyrjet njerëzore gjatë punimeve për zgjerimin e rrugës.

Projekti i aksit Elbasan–Qafë Thanë

Projekti për zgjerimin e këtij aksi nisi në vitin 2020, kur ARRSH hapi tenderin për studimin dhe projektimin e segmentit rrugor Elbasan–Prrenjas–Qafë Thanë.

Më pas, në vitin 2022, u hapën tenderët për ndërtimin e rrugës në disa lote. Aksi ka një gjatësi totale rreth 50 kilometra, ndërsa deri tani janë lidhur kontrata për 8 lote me një gjatësi të përbashkët prej 27 kilometrash, me një vlerë rreth 215 milionë euro.

Segmenti që u shemb i përket Lotit VII, një projekt me vlerë rreth 27 milionë euro, i cili parashikon ndërtimin e një rruge rreth 5.5 kilometra të gjatë.

Dyshimet për shkaqet

Sipas raportit gjeologjik të përfshirë në dokumentacionin e projektit, në zonë ekziston rrezik për rrëshqitje të tokës për shkak të përbërjes së terrenit, reshjeve të shumta dhe ndërhyrjeve inxhinierike që mund të ndikojnë në stabilitetin e shpatit.

Ekspertët kanë përmendur gjithashtu edhe gërryerjet e lumit Shkumbin dhe marrjen e inerteve nga shtrati i lumit për ndërtimin e rrugës si faktorë që mund të kenë ndikuar në destabilizimin e terrenit.

Hetimet e prokurorisë pritet të përcaktojnë nëse dëmtimi i rrugës është shkaktuar nga faktorë natyrorë, nga probleme në projektim dhe ndërtim, apo nga ndërthurja e të dyjave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related