Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po thellon hetimet për tenderët e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në vend.
Sipas materialeve hetimore, në dosje është përfshirë edhe emri i familjes së drejtuesit aktual të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH), Blendian Dalipaj. Hetuesit po verifikojnë një tender ku rezulton fituese edhe një kompani në pronësi të Barjam Dalipajt, babai i tij.
Prokurorët po analizojnë të gjitha 7 lotet e projektit, që përfshin rreth 28.7 kilometra rrugë dhe ka një vlerë totale rreth 450 milionë euro. Hetimi mbështetet në një volum të madh dokumentesh dhe komunikimesh zyrtare të periudhës 2021–2023, të cilat ende janë duke u shqyrtuar.
Dyshimet për procedurat e tenderimit
Sipas SPAK, në vitin 2021, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare, janë hapur njëkohësisht shtatë tenderë për projektin. Dokumentet tregojnë se ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, kishte kërkuar që procedurat të publikoheshin në të njëjtën ditë.
Në komunikimet e administruara nga prokuroria, Berberi i kërkon një vartëseje që tenderët të hidhen në sistem edhe pas mesnate për të përfunduar publikimin brenda afatit. Hetuesit dyshojnë se ky nxitim mund të ketë shërbyer për të mbyllur formalitetet, ndërsa fituesit mund të kenë qenë të përcaktuar më herët.
Modeli i skualifikimeve
Nga shtatë tenderët e hapur në shtator 2021, gjashtë u fituan me oferta shumë pranë fondit limit. Në garë morën pjesë 48 kompani, por 35 prej tyre u skualifikuan.
Sipas hetuesve, në disa raste kompanitë hynin në garë pa dokumente bazë ose pa ofertë ekonomike, ndërsa disa prej fituesve kishin paraqitur eksperienca që nuk lidhen drejtpërdrejt me ndërtimin e rrugëve.
Komunikimet dhe ofertat
Në dosjen hetimore ndodhen edhe fotografi të ofertave të kompanive që, sipas prokurorisë, dërgoheshin në kohë reale nga zyra e prokurimeve tek ish-drejtori i ARRSH-së dhe më pas tek ish-ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Hetimet përfshijnë gjithashtu edhe Lotin 2 të projektit, ku fituese rezultoi një bashkim kompanish ku përfshihet edhe shoqëria I.D.K Konstruksion, në pronësi të babait të Blendian Dalipajt.
SPAK po verifikon nëse lidhjet familjare dhe institucionale mund të kenë ndikuar në procesin e tenderimit dhe përzgjedhjen e fituesve në këtë projekt shumë milionë eurosh.
