- Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, komentoi akuzat e ngritura nga SPAK në lidhje me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Manja deklaroi se në relacionin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme nuk ka prova që tregojnë se Balluku ka intimiduar dëshmitarë apo ka përdorur ndikimin e saj për të penguar hetimet.
Sipas tij, një nga arsyet që është përmendur nga prokuroria lidhet me mundësinë e prishjes së provave, por ai theksoi se ky argument bie, pasi Balluku nuk është më në detyrë.
“Nuk ka asnjë akuzë konkrete për pengim të drejtësisë dhe nuk ka asnjë indicie se Balluku ka përdorur ndikimin e saj për të prishur provat,” u shpreh Manja.
Ai përmendi edhe një procesverbal të paraqitur nga prokuroria, ku dy shtetase bisedojnë mes tyre lidhur me një dëshmi të dhënë në SPAK. Sipas Manjës, nga ky dokument nuk rezulton që dëshmitarja të jetë kërcënuar nga Balluku apo nga pjesëtarë të kabinetit të saj.
Manja shtoi se dëshmitarja në fjalë ka statusin e të pandehurit në procedim dhe sipas Kodit të Procedurës Penale, deklarimet e saj duhet të vlerësohen me rezervë.
Debati për çështjen e Ballukut pritet të vijojë edhe në seancën plenare të 12 marsit, ku Kuvendi do të vendosë për kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të saj.
