Një rrëshqitje dheu ka shkaktuar shembjen e murit pritës në segmentin rrugor Maliq–Lozhan, pranë urës së Qenckës, në kilometrin e 13-të të këtij aksi.
Sipas të dhënave paraprake, masivi i dheut ka dëmtuar strukturën mbajtëse anësore të rrugës, duke krijuar probleme në lëvizjen e automjeteve. Aktualisht, qarkullimi kryhet me një korsi dhe drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë zonë.
Autoritetet pritet të ndërhyjnë për stabilizimin e terrenit dhe riparimin e murit pritës, ndërsa moti i paqëndrueshëm i javëve të fundit ka shtuar rastet e rrëshqitjeve të dheut në disa akse rrugore të vendit.
Drejtuesit e mjeteve këshillohen të respektojnë sinjalistikën dhe të reduktojnë shpejtësinë në segmentet me risk të lartë.
