“Hajde na shiko jo vetëm për vota!” Trushi nën ujë, fëmijët të izoluar dhe banorët të braktisur

Data

Reshjet e dendura të shiut kanë rikthyer përmbytjet në fshatin Trush të Shkodrës, duke e kthyer jetën e dhjetëra familjeve në një përditshmëri të vështirë dhe të rrezikshme. Rruga kryesore e fshatit është mbuluar nga uji, ndërsa lëvizja është bërë pothuajse e pamundur.

Banorët shprehen të revoltuar dhe të dëshpëruar, duke akuzuar bashkinë për neglizhencë dhe mungesë reagimi. Sipas tyre, situata përsëritet sa herë ka reshje, pa asnjë zgjidhje të qëndrueshme.

“Jemi bërë si Venecia. Turp i madh. Nuk dimë nga të shkojmë,” shprehet një banor, ndërsa thekson se fëmijët janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi, pasi nuk mund të shkojnë në shkollë. “Mësuesit na marrin në telefon, por çfarë t’u themi? Rruga është nën ujë.”

Sipas komunitetit, shkaku kryesor i përmbytjeve është bllokimi i kanalit kullues, i cili prej vitesh nuk pastrohet siç duhet. Ata pretendojnë se ndërhyrjet e bëra deri tani kanë qenë sipërfaqësore dhe vetëm për sy e faqe. “Kanë pastruar pak metra dhe janë larguar. Kanali duhet pastruar i gjithë, jo sa për të thënë që erdhën,” thotë një tjetër banor.

Mes zemërimit dhe zhgënjimit, banorët i bëjnë thirrje të drejtpërdrejtë kryetarit të bashkisë që të shkojë në zonë dhe ta shohë realitetin nga afër. “Të vijë të na shohë njëherë, jo vetëm kur ka nevojë për vota,” shprehet një prej tyre.

Me çizme në këmbë dhe ujin që u afrohet banesave, rreth 20 familje ndihen të abandonuara dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të normalizuar jetën, për të hapur rrugët dhe për të garantuar që fëmijët të kthehen në shkollë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related