Gjykata në Londër miraton ekstradimin e 37-vjeçarit drejt Shqipërisë

Data

Gjykata e Lartë në Londër ka rrëzuar apelin e një shtetasi shqiptar të dënuar për përdhunimin e një të miture në Bulqizë, duke i hapur rrugë ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.

37-vjeçari, i dënuar në mungesë nga Gjykata e Matit në vitin 2017 me 5 vite burg, kishte kundërshtuar vendimin e ekstradimit me argumentin se vuan nga probleme të shëndetit mendor, përfshirë çrregullim të përzier ankthi dhe depresioni. Avokatët e tij pretenduan se gjendja shëndetësore përbënte rrezik në rast transferimi në Shqipëri.

Megjithatë, Gjykata e Lartë britanike vlerësoi se pretendimet nuk ishin të mjaftueshme për të ndaluar ekstradimin, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të gjykatës së ekstradimeve në Westminster.

Sipas autoriteteve shqiptare, i dënuari u largua drejt Anglisë për t’iu shmangur drejtësisë, ku përdorte identitet tjetër. Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar ai ka pasur edhe dënime të tjera penale, përfshirë çështje që lidhen me drogën dhe dhunë ndaj një punonjësi të emergjencës.

Vendimi i fundit i gjykatës britanike i hap rrugë kthimit të tij në Shqipëri për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykatat shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related