Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar kundër projektligjit të propozuar nga mazhoranca për shitjen e tokës bujqësore shtetërore edhe subjekteve të huaja, duke e cilësuar atë një mekanizëm për t’u dhënë pasuritë publike klientëve të qeverisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj deklaroi se ndryshimet ligjore nuk synojnë tërheqjen e investimeve të huaja apo përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian, por, sipas tij, favorizimin e oligarkëve dhe kompanive offshore të lidhura me pushtetin.
“Sot toka bujqësore shtetërore nuk mund të shitet tek shtetasit apo kompanitë e huaja. Me këtë projektligj ky kufizim hiqet. Kjo nuk bëhet për të tërhequr investitorë të huaj, por për të ndarë tokën shqiptare me ortakët, oligarkët dhe kompanitë offshore të lidhura me Edi Ramën”, u shpreh Shehaj.
Sipas kreut të Partisë Mundësia, mbi 100 mijë hektarë tokë bujqësore vijojnë të jenë pronë e shtetit dhe duhet t’u kthehen pronarëve legjitimë, ndërsa qeveria, sipas tij, po tenton t’i shpërndajë ato për interesa klienteliste.
“Mbi 100 mijë hektarë tokë bujqësore janë ende pronë e shtetit shqiptar dhe duhet t’u kthehen pronarëve të ligjshëm. Në vend të kësaj, qeveria sjell projektligje që synojnë t’ua kalojnë këto prona miqve të saj”, deklaroi ai.
Në reagimin e tij, Shehaj theksoi se qytetarët nuk do ta lejojnë këtë proces dhe e lidhi çështjen me protestat që po zhvillohen në Tiranë.
“Qytetarët shqiptarë kanë treguar se dinë të reagojnë dhe nuk do ta lejojnë këtë vjedhje të radhës. Protesta vazhdon dhe Edi Rama duhet të japë dorëheqjen edhe për këtë projektligj skandaloz, që synon të grabisë popullin më të varfër në Europë”, përfundoi Shehaj.
