Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka firmosur urdhrin për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë” të shtetases Ikballe Huduti (Berisha), duke i ndaluar hyrjen në territorin shqiptar për një periudhë prej 15 vitesh.
Sipas vendimit, masa është marrë mbi bazën e informacioneve të grumbulluara nga institucionet përgjegjëse, sipas të cilave veprimtaria e saj vlerësohet si kërcënim për sigurinë kombëtare, rendin kushtetues dhe sigurinë publike.
Urdhri i ministrit Lamallari i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.
Autoritetet shqiptare pretendojnë se Ikballe Huduti njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian dhe se ka bërë deklarata publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Po ashtu, sipas tyre, ajo është shfaqur në aktivitete publike pranë ish-presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad.
Çështja u komentua edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili publikoi fotografi të Hudutit dhe e akuzoi për lidhje me figura të regjimit iranian.
“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e ‘diasporës’ së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë dhe kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllanë e vrarë, gjeneralin Kasem Sulejmani. Personazhi në krah të saj është Mahmud Ahmadinexhad”, shkroi Rama në reagimin e tij.
Vendimi i Ministrisë së Brendshme vjen në një periudhë kur në vend vijojnë protestat qytetare dhe debatet politike lidhur me pretendimet për ndikime të huaja në zhvillimet e fundit.
