Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka komentuar largimin e Marjana Koçekut nga Partia Socialiste, duke theksuar se situata e saj është e ndryshme nga e tija për shkak të historikut të angazhimit politik.
I ftuar në një studio televizive, Braçe u shpreh se ai nuk do të mund të perceptohej si një figurë e pavarur, edhe nëse do ta deklaronte një gjë të tillë, pasi ka qenë pjesë e Partisë Socialiste që prej themelimit të saj.
“Nuk është çështje dyshimi. Unë edhe sikur të them që jam i pavarur, nuk ma beson kush, sepse kam qenë në Partinë Socialiste që nga themelimi i saj. Dalja ime si i pavarur do të ishte e pavlerë”, deklaroi Braçe.
Deputeti socialist theksoi se nuk sheh arsye për të lënë mandatin apo për t’iu bashkuar protestave, pasi sipas tij, Kuvendi është vendi ku mund të ngrejë dhe të mbrojë qëndrimet e tij.
“Për sa kohë jam deputet dhe kam mundësinë të flas në Kuvend, nuk kam pse të jap dorëheqjen. Aty është vendi ku mund t’i bëj të gjitha. Nuk dua të përfitoj politikisht nga protesta dhe nuk dua të bëj si disa kolegë të opozitës që shkojnë atje e nuk i pyet askush”, u shpreh ai.
Duke folur për vendimin e Marjana Koçekut për t’u larguar nga Partia Socialiste, Braçe tha se ishte një zgjedhje personale dhe se ajo e ka më të lehtë të perceptohet si e pavarur.
“Vendimi i saj ishte vendimi i saj. Ajo e ka më të lehtë të largohet nga një përkatësi politike dhe të dalë në një pozicion tjetër. Mund ta besojnë që është e pavarur. Mua nuk ma beson kush. Ajo ka qenë aktiviste, ndërsa unë kam milituar si socialist”, përfundoi Braçe.
