Nga “puthja” për deputetët e PD te krisja me Lapajn, Endri Shabani flet për herë të parë si Avokat i Popullit

Data

Endri Shabani ka folur për herë të parë publikisht pas zgjedhjes së tij në detyrën e Avokatit të Popullit. Në një intervistë të dhënë këtë fundjavë, ai ka sqaruar momentet më të diskutuara që shoqëruan zgjedhjen e tij, përfshirë gjestin simbolik të puthjes ndaj deputetëve gjatë ceremonisë dhe përplasjen e mëparshme me Adriatik Lapajn.

Shabani theksoi se, ndonëse kandidatura e tij u mbështet nga shumica në fund, pa firmat e deputetëve të opozitës ai nuk do të kishte qenë kurrë kandidat për këtë post. Sipas tij, ky fakt tregon rëndësinë e pavarësisë institucionale dhe të profesionalizmit që kërkon detyra e Avokatit të Popullit.

“Pa mbështetjen e deputetëve të opozitës, unë nuk do të isha kandidat. Ky është një institucion dhe dua ta depersonalizoj. Nuk ka rëndësi nëse më pëlqen apo jo një person, ne duhet t’u shërbejmë të gjithëve njësoj”, u shpreh Shabani.

Një nga momentet më të komentuara në media ishte puthja simbolike që ai u dha deputetëve gjatë ceremonisë së zgjedhjes, veprim që nxiti reagime të shumta në opinionin publik. Shabani sqaroi se gjesti nuk ishte i planifikuar, por një reagim instinktiv në një situatë kaotike.

“Isha shumë i stresuar. Ishte një moment që askush nuk e meritonte. Duhej të ishte një ceremoni formale, ku unë isha përgatitur të mbaja një fjalim, por gjithçka u kthye në kaos. Kishte tym, shishe uji, tension. Unë po përpiqesha t’i qetësoja të gjithë dhe puthja ishte një mënyrë instinktive për ta bërë këtë”, shpjegoi ai.

Sa i përket përplasjes me Adriatik Lapajn, Shabani tha se ndarja erdhi si pasojë e dallimeve në vizion dhe në rrugën që secili zgjodhi për angazhimin e tij publik.

“Kemi bashkëpunuar si aktivistë dhe kemi pasur një histori të përbashkët, por me kalimin e kohës dolën dallime në vizion. Unë vendosa të largohem nga aktiviteti politik dhe të fokusohem plotësisht në detyrën time si Avokat i Popullit”, deklaroi ai.

Në fund, Shabani theksoi se pavarësia, profesionalizmi dhe shërbimi i barabartë ndaj qytetarëve do të jenë shtyllat kryesore të punës së tij në krye të institucionit.

“Ky është një institucion që duhet t’u shërbejë të gjithëve njësoj, pa dallime politike apo personale”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related