Pas përfundimit të mbledhjes së tensionuar të Kryesisë së Partisë Demokratike, e shoqëruar me debate të ashpra dhe akuza të ndërsjella, ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar publikisht, duke sqaruar qëndrimet e tij dhe duke ironizuar akuzat e ngritura ndaj tij gjatë diskutimeve.
Në një prononcim për mediat, Salianji u shpreh i zhgënjyer që mbledhja, sipas tij, u devijua nga qëllimi kryesor politik – organizimi i protestave dhe përballja me qeverinë – drejt përplasjeve të brendshme.
“Jam i keqardhur që mbledhja e Kryesisë e zhvendosi komplet fokusin nga protesta te debatet e brendshme. Kishte mendime të ndryshme, por ajo që di t’ju them është se nuk do të ketë ndryshim pa sakrifica, pa reagime dhe pa përplasje”, deklaroi Salianji.
Ai theksoi se nuk do t’u shmanget akuzave dhe se çdo pretendim ndaj tij do ta përgënjeshtrojë me prova konkrete.
“Çdo akuzë dhe çdo idiotësi do t’i përgjigjemi me fakte konkrete dhe me emra konkret”, u shpreh ish-deputeti demokrat.
Salianji hodhi gjithashtu akuza të drejtpërdrejta ndaj drejtuesve të Partisë Demokratike, duke i cilësuar ata përgjegjës për paqartësitë dhe konfuzionin në vendimmarrjen politike të partisë.
“Vendimmarrja e PD-së ka qenë e paqartë në shumë raste dhe kjo i bën drejtuesit përgjegjës. Unë po bëj përgjegjës drejtuesit e Partisë Demokratike për situatën ku ndodhemi sot”, tha ai.
I pyetur për akuzat e ngritura gjatë mbledhjes se kishte mbledhur firma të deputetëve për kandidaturën e Endri Shabanit për postin e Avokatit të Popullit, Salianji reagoi me ironi, duke i mohuar kategorikisht këto pretendime.
“Edhe luftërat punike unë i kam zhvilluar. Edhe firmat për Endri Shabanin unë i paskam mbledhur, kur nuk jam as deputet”, tha ai me ironi, duke lënë të kuptohet se akuzat ndaj tij janë të pabazuara.
Deklaratat e Salianjit vijnë në një klimë tensioni të lartë brenda Partisë Demokratike, ku përplasjet e brendshme po shoqërojnë diskutimet për strategjinë politike dhe aksionin opozitar ndaj qeverisë.
