“Pagat nuk janë listë dëshirash”, Manja: Ja ku nisi përplasja me magjistratët dhe pse shteti nuk mund të veprojë me presion

Data

Debati për rritjen e pagave të magjistratëve ka përfshirë prej javësh politikën dhe sistemin e drejtësisë, duke u kthyer në një nga çështjet më të ndjeshme institucionale. Nga njëra anë qëndrojnë gjyqtarët dhe prokurorët që kërkojnë rritje page, ndërsa nga ana tjetër qeveria, e cila e konsideron këtë kërkesë të papranueshme në kushtet aktuale.

I ftuar në një studio televizive, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, sqaroi se kjo përplasje nuk është e re dhe se zanafilla e saj daton që nga miratimi i ligjit për statusin e magjistratëve në vitin 2016.

Sipas Manjas, ligji në fjalë është ndër më të debatuarit në historinë legjislative shqiptare, pasi është dërguar tre herë në Gjykatën Kushtetuese dhe është ndryshuar po aq herë nga ligjvënësi.

“Nuk është një debat në distancë mes gjyqtarëve dhe qeverisë. Kemi të bëjmë me një konflikt kushtetues mes dy palëve të interesuara”, u shpreh Manja.

Ai theksoi se kërkesa për rritje page është legjitime në vetvete, por theksoi se në një shtet demokratik sistemi i pagave nuk mund të funksionojë si një listë dëshirash individuale.

“Sistemi i pagave është pasqyra e funksionimit politik, social dhe demokratik të një shteti. Nuk mund të ndërtohet mbi presion apo krahasime selektive”, tha Manja.

Sipas tij, ligji i vitit 2016 vendosi një status të veçantë për magjistratët, duke përfshirë jo vetëm pagën bazë, por edhe një sërë përfitimesh shtesë si trajtim financiar të veçantë, kompensime për transferime, sigurim jete, pension suplementar dhe shtesa për vështirësi profesionale.

Pika më e debatueshme mbetet paga referuese. Manja shpjegoi se debati i parë për këtë çështje nisi në vitin 2017 dhe u rishfaq në vitin 2021, kur Ministria e Financave kërkoi sqarim të formulës ligjore.

Ndryshimet e bëra më pas u kundërshtuan nga shoqatat e magjistratëve, të cilat iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi që paga referuese të mos lidhej me drejtorë të administratës, por me një kategori më të lartë, duke përcaktuar kufijtë ligjorë të përllogaritjes.

Manja sqaroi se në vitin 2023, qeveria e përktheu vendimin e Kushtetueses duke e lidhur pagën referuese të magjistratëve me pagën e Presidentit të Republikës, si paga më e lartë në shtet, duke garantuar edhe indeksim periodik.

“Neni 138 i Kushtetutës thotë mos e ul pagën e magjistratit. Ne jo vetëm që nuk e kemi ulur, por e kemi rritur”, deklaroi Manja, duke shtuar se ndryshimi i formulës së përllogaritjes nuk përbën automatikisht shkelje kushtetuese.

Ai theksoi se nuk mund të pretendohet se çdo formulë që sjell përfitim më të madh është e detyrueshme, ndërsa çdo formulë tjetër cilësohet shkelje.

“Nuk di të ketë vlerësim më të madh sesa ta referosh pagën e magjistratit me atë të Presidentit të Republikës”, përfundoi Manja.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related