Noka pas përplasjes me Salianjin: Dorëheqja ime nuk i shërben PD-së, por vetëm Ramës dhe shërbëtorëve të tij

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar publikisht pas debatit të ashpër me Ervin Salianjin gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, duke hedhur poshtë thirrjet për dorëheqje dhe duke i cilësuar ato si në shërbim të kundërshtarëve politikë.

Në një prononcim për gazetarët, Noka konfirmoi përplasjen me ish-deputetin Ervin Salianji në mbledhjen me dyer të mbyllura, ku tensionet u shoqëruan me akuza të ndërsjella dhe tone të larta. Sipas burimeve, Noka e ka akuzuar Salianjin se veprimet e tij po i shërbejnë interesave të atyre që Partia Demokratike ka përballë.

Nga ana tjetër, Salianji ka reaguar ashpër gjatë mbledhjes, duke i kërkuar Nokës dorëheqjen dhe duke e bërë përgjegjës për vendimmarrje të gabuara brenda partisë, përfshirë edhe çështjen e Avokatit të Popullit. “Jep dorëheqjen Flamur, e ke shkatërruar partinë dhe gabimi me Avokatin e Popullit është përgjegjësi e jotja”, mësohet të ketë deklaruar Salianji.

Duke komentuar këto deklarata, Flamur Noka u shpreh se kërkesat për dorëheqje janë një devijim nga beteja reale politike dhe nuk i shërbejnë interesave të opozitës.

“Tani unë po flas për axhendën e demokratëve dhe të opozitarëve, ndërsa ju po flisni për axhenda jashtëpartiake që janë në shërbim të qeverisë. Sot dorëheqja e vetme që kërkohet nga kushdo është dorëheqja e Edi Ramës. Dorëheqja ime apo e dikujt tjetër këtu qetëson vetëm një gjë: Ramën dhe shërbëtorët e tij”, deklaroi Noka.

Deklarata e Nokës vjen në një moment tensioni të lartë brenda Partisë Demokratike, ku përplasjet e brendshme kanë nxjerrë në pah ndasi të forta mes drejtuesve, ndërsa opozita përballet me sfida të mëdha politike përballë qeverisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related