“U rrita pa e thirrur dot baba” – Rrëfimi prekës i djalit të Azem Hajdarit: Peshën e emrit e ndjeva që fëmijë, u detyrova të bëhem burrë para kohe

Data

Azem Hajdari, djali i një prej figurave më simbolike të demokracisë shqiptare dhe liderit të lëvizjes studentore të viteve 1990–1991, ishte i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ku ndau një rrëfim të ndjerë për jetën e tij, mungesën e të atit dhe peshën e emrit që mban.

Mes emocionesh, Azemi – që mban emrin e babait të tij, i vrarë në një pritë më 12 shtator 1998 në Tiranë – tregoi se që në moshë shumë të vogël kishte ndjerë rëndësinë dhe përgjegjësinë që vinte me mbiemrin Hajdari.

“Isha vetëm 3–4 vjeç kur e kuptova fuqinë e emrit dhe mbiemrit që mbaj. Më kujtohet që duhet të vishesha me kostum dhe njerëzit më drejtoheshin duke më thënë: ‘Do të bëhesh si babi’”, rrëfeu ai.

Ai kujtoi se në shtëpinë e tyre vinin shpesh miq dhe bashkëpunëtorë të Azem Hajdarit, të cilët ndanin histori për jetën dhe veprimtarinë e tij politike, duke e bërë figurën e babait të pranishme në mënyrë të vazhdueshme, edhe pse fizikisht mungonte.

“Për babain më kanë folur jo vetëm familjarët, por edhe njerëz që e kanë njohur gjatë jetës. U detyrova të bëhem burrë para kohe dhe, nëse do të ishte gjallë sot, do të ishte një mrekulli për mua. Unë nuk e thirra dot baba”, tha Azemi me zë të dridhur.

Një nga kujtimet më të veçanta që ndau ishte nga koha e luftës së Kosovës, kur Azem Hajdari kishte strehuar në shtëpinë e tij 12 persona të ardhur nga Kosova.

“Ata e thërrisnin ‘bacë’. Kur vinte në shtëpi, ulej me ta në sofër dhe gjithmonë tregonte empati dhe dhembshuri për njerëzit. Nuk sillte kurrë streset apo problemet e politikës në familje”, kujtoi ai.

Duke folur për ndikimin e mungesës së babait në jetën e tij, Azemi theksoi se kjo ka qenë njëkohësisht dhimbje, sfidë dhe forcë për t’u rritur më shpejt se bashkëmoshatarët e tij.

“Nëse ka një të mirë, duke e parë gotën gjysmë plot, është fakti që dashuria dhe mbështetja që më munguan më detyruan të rritem shpejt. U detyrova të bëhem burrë para kohe”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related