Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar turin e takimeve me strukturat e PD-së, duke u ndalur këtë herë në Gjirokastër, ku ka artikuluar kritika të drejtpërdrejta për gjendjen e brendshme të forcës politike që përfaqëson.
Në fjalën e tij para demokratëve, Salianji u shpreh se Partia Demokratike ndodhet përballë një problemi të brendshëm serioz, i cili sipas tij, po zvarritet prej kohësh dhe mbetet ende i pazgjidhur, edhe pas disa muajsh nga zgjedhjet parlamentare.
“Nuk mund të rrimë edhe shtatë muaj pas zgjedhjeve duke ngrohur karriget dhe të mos flasim për problemet. Problemi i brendshëm në Partinë Demokratike është i pakapërcyer. Në këtë periudhë nuk ka ndryshuar asgjë”, deklaroi Salianji.
Ai theksoi se PD ka qenë tradicionalisht një parti reaguese, por sipas tij, sot rrezikon të mbetet peng e së shkuarës, nëse nuk reflekton dhe nuk hap rrugë për ndryshim real brenda strukturave të saj.
“Për vite të tëra kemi qenë një parti që reagon. Sot duket shpeshherë si një parti që vetëm kujton të shkuarën. Kjo nuk mjafton më”, shtoi ish-deputeti demokrat.
Salianji nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për energji të reja, për figura që kanë marrë votëbesimin e qytetarëve dhe që mund të përfaqësojnë një alternativë reale ndaj qeverisjes aktuale.
“Vendi ka nevojë për energji të reja dhe për njerëz që kanë marrë mbështetjen e qytetarëve. Shqiptarët kërkojnë ndryshim real dhe këtë ndryshim mund ta sjellë vetëm Partia Demokratike”, u shpreh ai.
Duke iu referuar përballjes politike me kryeministrin Edi Rama, Salianji tha se opozita ka mundësi reale për ta mundur, por vetëm nëse përballet me të vërtetën dhe ndërton një moral politik të qëndrueshëm.
“Edi Ramën ne duhet ta mundim dhe mund ta mundim. Por është e pamundur të fitosh pa pasur të vërtetën dhe moralin me vete. Po ashtu, është e vështirë të fitosh nëse nuk ndryshon gjuha politike dhe mënyra e drejtimit”, theksoi ai.
Takimi në Gjirokastër vjen në kuadër të një serie diskutimesh që Salianji po zhvillon me strukturat lokale të PD-së, në një moment kur brenda opozitës po shtohet debati për nevojën e reformimit të brendshëm dhe rinovimit politik.
