Albin Kurti shtrin “tentakulat” në të gjithë Ballkanin, fiton Preshevën dhe i “rrëmben” Edi Ramës Erdoganin, ja si kryeministri i Kosovës po shndërrohet në liderin e shqiptarëve në rajon

Data

Albin Kurti po shndërrohet në liderin e Ballkanit. Kryeministri i Kosovës po lë shumë mbrapa Edi Ramën në garën për rolin e “liderit” të gjithë shqiptarëve. Dy “fitoret” e tij të fundit japin sinjale se “tentakulat” e Albin Kurtit të shtrira në të gjithë rajonin po zënë rrënjë. Dje këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës, Ardita Sinani nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, shpalli fitoren e zgjedhjeve lokale për komunën e Preshevës që u mbajtën të dielën. Pas shpalljes së rezultatit, Sinani iu drejtua mbështetësve me përshëndetje nga kryeministri Kurti. “Të fala keni nga kryeministri Albin Kurti”, tha Ardita Sinani. Nga ana tjetër, lideri kosovar i ka “rrëmbyer” Edi Ramës dhe presidentin turk Erdogan. U bë kohë që kryeministri Rama po injorohet nga lideri turk. Erdogan ka anuluar dhe vizitat e tij në Shqipëri. Marrëdhënia mes tyre është ftohur, sa Erdogan as nuk e ftoi Edi Ramën kur u zhvillua ceremonia e betimit të tij si president vitin e kaluar. Lideri turk ka pasur influencë të madhe në vendin tonë, madje Rama e tregonte sa herë t’i jepej mundësia miqësinë që ka me Erdogan. Por situata është përmbysur dhe vendin e tij mesa duket e ka zënë Kurti.  Kryeministri kosovar po zhvillon një vizitë disa ditore shumë të suksesshme në Turqi. Takimet e tij që nisën më 31 maj kanë qenë të shumta. Me Erdogan, Kurti diskutoi për forcimin e marrëdhënieve bilaterale. Madje siç njoftoi qeveria kosovare, dje u zhvillua edhe Forumi i parë ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë. Kurti në Turqi, ka shkuar me gjysmën e kabinetit qeveritar me vete, përfshirë zëvendës-kryeministrin Emilja Rehepi, Shefin e stafit Luan Dalipi, ministren Rozeta Hajdari, ministrin Faton Peci, zëvendësministrin Hysen Durmishi, zëvendësministren e Kulturës, Daulina Osmani, zëvendësministrin e Tregtisë, Mentor Arifaj, ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe zëvendësministrin e Ekonomisë, Getoar Mjeku.

“Tentakulat” e Kurtit në Ballkan

Edhe gazeta e madhe greke në një shkrim të fundit tregoi se po zhvillohet një përplasje shqiptare se kush do të jetë babai kombëtar i gjashtë milionë shqiptarëve. Kjo përplasje sipas  “Kathimerinit” po zhvillohet në trekëndëshin Tiranë – Prishtinë – Tetovë.  Në artikull thuhet se Kurti përveç Shqipërisë, po shtrin tentakulat dhe në politikën maqedonase. Kurti ka krijuar një “degë” të partisë së tij, e cila madje zbret në zgjedhjet shqiptare, edhe në Maqedoninë e Veriut me kontrollin të tre prej tyre nga katër partitë shqiptare që pritet t’i bashkohen koalicionit VLEN – VREDI në qeverinë Mickoski. Gjithashtu fitoret e Kurtit kundër Serbisë duke iu dalë ballë edhe ndërkombëtarëve si asnjë lider tjetër, kanë forcuar pozitat e tij. Sipas medieve kosovare, Kurti vlerësohet shumë në Shqipëri, ndryshe nga Rama në Kosovë  që nuk gëzon mbështetje fare, pasi gjithë këto vite ka qenë avokati më i mirë dhe miku më i ngushtë i Serbisë dhe Vuçiçit.  Kurti ka fituar pastër dhe po qeveris po ashtu pastër në Prishtinë, pa patur asnjë akuzë për afera korruptive. Gjithashtu, nga pas Albin Kurti ka amerikanët.  Zyrtarët më të lartë Bashkimit Evropian, por edhe nga SHBA kanë zbarkuar këto kohë shpesh në zyrën e tij. Duke nisur nga Borrell, Lajçak, Escobar, kryeministra të shteteve të ndryshme të BE, dhe duke përmendur edhe biseda të rëndësishme me Antony Blinken, apo edhe zyrtarë të tjerë të DASH. Ndërkombëtarët kanë qenë të gjithë në radhë për tek zyra e Albin Kurtit. Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të investojnë te Kurti përpjekje të konsiderueshme, energji dhe kapital politik. E gjithë Evropa dhe SHBA i ka sytë te Ballkani pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe Albin Kurti e ka shfrytëzuar shumë mirë rastin, por edhe ka treguar se është i denjë për postin si kryeministër i Kosovës, pasi Serbia përballë tij i ka humbur si asnjëherë më parë të gjitha përballjet kundër shqiptarëve të Kosovës. Kryeministrit Rama nuk i del inati nga ky pozicion që ka zënë Kurti, pasi tha së fundmi se lideri kosovar po ngatërrohet në politikën e vendeve të tjera. Ai e cilësoi Kurtin si “opozitar profesionist”. “Po pres ditën kur do të protestojë kundër qeverisë së tij, i vetmi që mund ta rrëzojë Kurtin është Albini”, është shprehur ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related