“Ju erdhi fundi”/ Marshimi kilometrik mbërrin në Astir, protestuesit vijojnë thirrjet për dorëheqjen e Ramës

Data

Protesta qytetare kundër qeverisë ka vijuar edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes, ndërsa marshimi i nisur nga qendra e kryeqytetit ka mbërritur në zonën e Astirit, duke shënuar një nga itineraret më të gjata të zhvilluara gjatë 12 ditëve të mobilizimit qytetar.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, tubimit para Kryeministrisë dhe marshimit në disa prej akseve kryesore të Tiranës, mijëra protestues kanë vijuar lëvizjen drejt Astirit, ku kanë përsëritur thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

“Rama jep dorëheqjen” dhe “Ju erdhi fundi” kanë qenë sloganet më të dëgjuara gjatë marshimit, ndërsa pjesëmarrësit kanë deklaruar se protesta do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Sipas organizatorëve dhe protestuesve, lëvizja qytetare ka hyrë tashmë në ditën e 12-të, duke ruajtur karakterin paqësor dhe duke tërhequr pjesëmarrës nga grupmosha dhe kategori të ndryshme shoqërore.

Protestuesit kanë theksuar se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre dhe se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët e ardhshme. Ata kanë bërë thirrje për pjesëmarrje më të madhe qytetare, si brenda vendit ashtu edhe nga diaspora shqiptare.

Për datën 13 qershor është paralajmëruar një tjetër tubim, ku organizatorët presin pjesëmarrje të zgjeruar nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Gjatë marshimit janë artikuluar edhe kërkesa drejtuar institucioneve të drejtësisë, me pjesëmarrësit që kanë kërkuar hetime ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe më shumë transparencë në qeverisjen e vendit.

Pas mbërritjes në Astir, protestuesit pritet të rikthehen drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke vijuar një protestë që sipas tyre ka tejkaluar pritshmëritë dhe ka fituar mbështetje të gjerë në mbarë vendin dhe në komunitetet shqiptare jashtë Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related