Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka replikuar ashpër në Kuvend ndaj kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, gjatë debatit për raportin e OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një fjalë të fortë politike, Berisha e akuzoi Ballën si një nga kriminelët më të mëdhenj elektoralë në vend, duke e cilësuar atë si figurë kyçe në manipulimin e procesit zgjedhor dhe të votës së diasporës, në bashkëpunim me grupe kriminale.
“Parafolësi është një nga kriminelët elektoralë më të mëdhenj të këtij vendi, një nga manipulatorët kryesorë të votës, në bashkëpunim me kartelet e drogës dhe me manipulimin e votës së diasporës. Ky është realiteti,” u shpreh Berisha nga foltorja.
Kreu i PD-së theksoi se zgjedhjet e 11 majit nuk u fituan në mënyrë të ndershme, por u rrëmbyen përmes metodave antikushtetuese dhe antiligjore, duke përdorur shtetin si instrument elektoral. Ai iu referua edhe konkluzioneve të Komisionit Evropian, që sipas tij, konfirmojnë se në Shqipëri nuk pati garë të barabartë politike.
“Konkluzioni i Komisionit Evropian se duhet ndarë partia nga shteti, dëshmon se zgjedhjet u zhvilluan mes një shteti partiak dhe partive politike. Ky fakt dënon me vdekje farsën elektorale që u zhvillua më 11 maj,” deklaroi Berisha.
Duke iu drejtuar socialistëve, Berisha dha një paralajmërim të fortë politik, duke garantuar se një proces i tillë zgjedhor nuk do të mund të përsëritet më.
“Ju garantoj shqiptarët se kurrë më një forcë politike e bazuar te krimi dhe droga nuk do të shpallet fituese. Ju garantoj se nuk do mund ta zhvilloni më farsën e 11 majit. Ne do ta mbrojmë votën,” tha ai.
Në fund të replikës së tij, Berisha e mbylli me një mesazh simbolik dhe sfidues, duke përdorur shprehjen e njohur në anglisht:
“E themi këtu dhe sot: Never more – kurrë më. Hiqeni nga mendja.”
Debati i ashpër mes Berishës dhe Ballës vjen në kulmin e përplasjes politike mes mazhorancës dhe opozitës për legjitimitetin e zgjedhjeve, ndërsa pritet që çështjet e reformës zgjedhore të kalojnë në diskutim në komisionet parlamentare.
