“Rri në karrige sikur ta ketë trashëgimi” – Salianji për Ballukun: Rama duhej ta kishte shkarkuar, sot është mburojë e korrupsionit

Data

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar takimet me demokratët në qytetin e Elbasanit, ku është ndalur edhe te kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, një zhvillim që sipas tij ekspozon krizën e thellë morale dhe politike të qeverisë.

Salianji u shpreh se politikanë të tillë në Shqipëri qëndrojnë në pushtet sikur karrigia t’u jetë lënë trashëgimi, pa njohur dorëheqje dhe pa mbajtur përgjegjësi politike, edhe përballë akuzave të rënda.

“Kjo është një dramë e madhe që shihet me sy të lirë. Realitet që e sheh çdo qytetar, por politika tallet me të”, u shpreh Salianji, duke shtuar se qeverisja është e zhytur në korrupsion kapilar, ndërsa krimi është bërë pjesë e sistemit.

Ai theksoi se familjet po varfërohen, të rinjtë po largohen masivisht nga vendi dhe Shqipëria po zbrazet, ndërkohë që zyrtarët e lartë përfshihen në afera, por refuzojnë të japin dorëheqjen.

Sipas Salianjit, kryeministri Edi Rama duhej të kishte shkarkuar menjëherë Belinda Ballukun, por në vend të kësaj, ai ka zgjedhur të mbrojë të korruptuarit.

“E patë se çfarë ndodhi me skandalin e Belinda Ballukut dhe oborrin e saj të AKSHI-t. Në vend që të shkarkojë të korruptuarit, sot kryeministri është bërë mburojë e korrupsionit”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij, Salianji theksoi se kur i gjithë sistemi shtetëror është i rrënuar nga interesi personal i kryeministrit, e vetmja rrugë që mbetet është protesta.

“Ka vetëm një rrugë: protesta, protesta, protesta. Më 22 dhjetor, e gjithë energjia e Elbasanit duhet të përplaset në dyert e Kryeministrisë”, përfundoi Salianji.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related