“Të ngjitur pas karriges si këpuca pas këmbës” – Salianji nga Elbasani: Lëvizja jonë është për ta bërë PD-në fituese

Data

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar turin e takimeve me strukturat lokale të PD-së në Elbasan, ku ka theksuar se lëvizja e tij politike synon forcimin e rolit të anëtarësisë dhe kthimin e Partisë Demokratike në një forcë fituese.

Në fjalën e tij përpara demokratëve, Salianji u shpreh se kjo nismë nuk ka si qëllim poste apo interesa personale, por synon që partia të rikthejë lidhjen me bazën dhe të dëgjojë zërin e anëtarëve.

“Shumë pyesin çfarë duam me këtë lëvizje. Ne duam që PD të jetë fituese, fituese, fituese. Nuk është një rrugëtim për poste apo interesa personale, por për interesin që PD të dëgjojë anëtarësinë dhe të mos e braktisë atë”, u shpreh Salianji.

Ai u shpreh kritik ndaj degradimit të politikës shqiptare, duke theksuar se ajo është kthyer në një pengesë për shoqërinë, pasi politikanët sipas tij janë fokusuar tek interesat personale dhe jo tek parimet e demokracisë.

“Të gjithë janë të ngjitur pas karriges, si këpuca pas këmbës”, deklaroi Salianji, duke shtuar se politika është reduktuar në çështje private, ndërsa normat dhe parimet demokratike janë zhbërë.

Salianji theksoi gjithashtu se korrupsioni kapilar dhe standardet e ulëta të qeverisjes kanë sjellë një degradim të thellë të institucioneve dhe zyrtarëve të lartë, duke e cilësuar këtë situatë si një barrë të rëndë për shoqërinë shqiptare.

Në fund të fjalës së tij, Salianji falënderoi demokratët për mbështetjen dhe angazhimin e tyre, duke theksuar se ndryshimi brenda PD-së është i domosdoshëm për të rikthyer besimin dhe shpresën te qytetarët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related