Fluks i lartë mjetesh është regjistruar mesditën e sotme në të dyja anët e pikës së pagesës në Kalimash. Qarkullimi më i rënduar paraqitet në korsinë e aksit Tiranë–Kukës–Morinë–Kosovë, ku lëvizja e automjeteve është ndjeshëm më e madhe.
Ky fluks vjen si pasojë e rikthimit të qarkullimit normal pas disa aksidenteve të ndodhura më herët në zonën e Rrëshenit, në Rrugën e Kombit, ku për një periudhë u shënua edhe bllokim i plotë i trafikut.
Ndërkohë, Rruga e Kombit në të dyja drejtimet Kukës – Tuneli i Kalimashit po përballet me reshje të dendura shiu të shoqëruara me erë të fortë, çka e bën qarkullimin të vështirë dhe rrit rrezikun për aksidente.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e motit, për shkak të lagështisë dhe shikueshmërisë së reduktuar.
