Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, zhvilloi sot një tjetër bashkëbisedim me mbështetësit e tij në Elbasan, ku dha një mesazh të drejtpërdrejtë për mënyrën se si opozita duhet të përballet me qeverinë e Edi Ramës dhe të fitojë zgjedhjet.
Salianji theksoi se ekzistojnë vetëm dy rrugë për rrëzimin e qeverisë: protesta të fuqishme dhe mobilizimi masiv i votës, duke përjashtuar ankesat, justifikimet apo përçarjet e brendshme.
Ai reagoi edhe ndaj kritikëve brenda Partisë Demokratike, duke marrë shkas nga mbledhja e fundit e Kryesisë së PD-së, ku sipas tij u harxhua më shumë kohë për të “gjykuar demokratët” sesa për të përballur qeverinë.
“Mbledhjet tona shndërrohen në gjyqe ndaj demokratëve. Në vend që të gjykojmë qeverinë dhe të kemi strategji të qartë për opozitën, mbledhja e fundit ishte 4 orë gjyq për mua dhe për ju, dhe vetëm 15 minuta për Belinda Ballukun dhe Edi Ramën”, u shpreh Salianji.
Ai theksoi se kjo nuk është rruga e duhur dhe se opozita nuk mund të fitojë duke krijuar armiq imagjinarë apo duke u fokusuar tek konfliktet e brendshme.
Sipas Salianjit, Partia Demokratike duhet të rikthehet tek baza, të dëgjojë çdo demokrat dhe të ndërtojë një strategji reale për përballjen me mazhorancën.
“Nuk ka rrugë tjetër. Duhet respekt për demokratët, dëgjesë reale, analizë e thellë dhe protesta të fuqishme, deri në rrëzimin e qeverisë me votë ose me dorëheqje”, deklaroi ai.
Ish-deputeti theksoi se Edi Rama mund të mposhtet vetëm duke nxjerrë qytetarët në protestë dhe duke i çuar masivisht drejt kutive të votimit, përballë asaj që e cilësoi si një sistem të inxhinieruar të manipulimit të votës.
“Rama rrëzohet vetëm në dy mënyra: me protesta masive dhe me bindjen e njerëzve për të votuar. Nuk ka më justifikime, nuk ka më ‘na mundën’. E vetmja mënyrë është të çojmë në këmbë popullin opozitar”, u shpreh ai.
Në fund, Salianji theksoi se Partia Demokratike nuk mund të fitojë duke u ankuar apo duke qarë për qeverinë, por vetëm përmes veprimit konkret, bashkimit dhe respektimit të kontributeve të gjithsecilit.
“Kjo nuk ndodh duke qarë nga mëngjesi deri në darkë. Ndodh me dëgjesë, me vepra dhe me bashkim të opozitës. Vetëm kështu PD bëhet fituese, ndryshe do të na shohin si humbës”, përfundoi Salianji.
