Dosja e SPAK po shndërrohet në një nga hetimet më tronditëse të viteve të fundit, duke goditur drejtpërdrejt kupolën e Policisë së Shtetit dhe duke ngritur dyshime të rënda për rrëmbime, intimidim dhe mbulim kriminal të organizuar.
Hetimet që kanë nisur fillimisht për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) janë zgjeruar ndjeshëm dhe, sipas burimeve të besueshme, kanë çuar SPAK-un drejt një skenari ekstrem: urdhër-arreste për disa drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të dyshuar për përfshirje aktive ose tolerim të akteve kriminale.
Sipas të dhënave hetimore, oficerë dhe drejtues policie nuk dyshohet të jenë përfshirë vetëm në rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, por edhe në një tjetër episod të rëndë që tronditi opinionin publik në heshtje: pengmarrjen e ish-zëvendësdrejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima.
Zhdukja që u mbyll si “largim me dëshirë”
Daniel Shima u raportua i zhdukur më 20 gusht. Familjarët e tij ngritën alarmin pasditen e asaj dite, pasi ai kishte humbur çdo kontakt. Vetëm një ditë më pas, Shima u rikthye në banesën e tij në orët e vona të natës.
Në atë kohë, Policia e Shtetit deklaroi zyrtarisht se bëhej fjalë për një largim vullnetar, ndërsa vetë Shima, në rrethana të paqarta, kishte pohuar se kishte qenë në Dhërmi. Çështja u arkivua praktikisht brenda pak orësh, pa hetim të thelluar, pa verifikime të pavarura dhe pa asnjë transparencë.
Sot, sipas burimeve hetimore, kjo ngjarje po rishqyrtohet si pengmarrje, me indicie serioze se është shoqëruar me presion, kërcënime dhe ndërhyrje të paligjshme, ndërsa strukturat që duhej të hetonin, dyshohet se kanë mbuluar gjurmët.
Kur policia dyshohet se mbron krimin
Nëse këto dyshime konfirmohen, rasti Shima shënon një precedent ekstrem: jo thjesht abuzim me detyrën, por përdorim të uniformës për akte kriminale. Një skenar që e kthen Policinë e Shtetit nga garant i sigurisë publike në subjekt hetimi penal.
Burimet flasin për një zinxhir përgjegjësie që nuk ndalet te oficerë të veçantë, por shkon drejt niveleve drejtuese, aty ku vendimet merren dhe ku, sipas SPAK, është ndërtuar një mur heshtjeje dhe mbrojtjeje.
Prova zjarri për drejtësinë e re
Për SPAK-un, kjo dosje është më shumë se një hetim penal. Është një provë zjarri për të treguar nëse drejtësia e re është e aftë të godasë strukturat më të fuqishme të shtetit, apo nëse do të ndalet përballë uniformës blu.
Nëse urdhër-arrestet materializohen dhe hetimi shkon deri në fund, do të kemi të bëjmë me një moment historik: herën e parë kur kupola e Policisë së Shtetit përballet realisht me drejtësinë penale.
Por nëse dosja fragmentarizohet, zbutet apo mbyllet në heshtje, atëherë mesazhi do të jetë po aq i fortë: se në Shqipëri, edhe sot, ka struktura që qëndrojnë mbi ligjin.
Ora po troket. Dhe këtë herë, uniforma mund të mos mjaftojë për të shpëtuar nga prangat.
