Avokati Gylsen Zhllima ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama po aplikon standarde të dyfishta dhe po përdor procedurat si mburojë politike.
I ftuar në një emision televiziv, Zhllima u shpreh se nëse kryeministri nuk do të kishte probleme reale, do ta kishte lënë prej kohësh Ballukun të përballej me drejtësinë pa pengesa. Sipas tij, qëndrimi aktual i Ramës tregon frikë dhe jo respekt për parimet e shtetit të së drejtës.
“Sot kemi dy standarde nga zoti Rama për çështjen Balluku. Nëse ai nuk do të kishte probleme, do ta kishte lëshuar Ballukun. Por ai përdor procedurat si justifikim. Ajo që po ndodh sot është ndryshe, sepse po hetohet edhe pushteti ekonomik, që është hallka më e fortë e pushtetit,” u shpreh avokati.
Zhllima theksoi se kryeministri po përpiqet të paraqitet si viktimë, ndërkohë që sipas tij, problemet reale janë brenda qeverisë dhe rrethit të tij të ngushtë.
“Zoti Rama po shpik procedura dhe po merr rolin e viktimës. Edhe nëse në shtëpinë e tij bie flaka, ai del publikisht si viktimë. Ky është riviktimizim i vazhdueshëm,” tha ai.
Sipas avokatit, ky model sjelljeje nuk është i ri dhe është përsëritur prej vitesh. Ai nënvizoi se nga viti 2017 e në vijim, Rama ka ndërtuar një narrativë të vazhdueshme ku shmang përgjegjësinë politike dhe fajëson rrethanat apo institucionet e tjera.
“Nuk mund të jesh gjithmonë viktimë për të njëjtat ngjarje. Duhet të ketë një limit. Nëse rreth teje vazhdimisht dalin probleme dhe persona të përfshirë në afera, atëherë duhet të rishohësh edhe veten,” shtoi Zhllima.
Ai solli si shembull edhe qëndrimet kontradiktore të kryeministrit në raste të tjera, ku herë ka deklaruar se i ka dhënë dorë të lirë drejtësisë për ‘pastrim’, e herë të tjera është justifikuar me faktin se Shqipëria është republikë parlamentare.
Sipas Zhllimës, këto luhatje tregojnë përpjekje për të kontrolluar narrativën publike, ndërsa problemet reale trajtohen në prapaskenë.
