Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar hetimet në kuadër të dosjes ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, në hetim për shtatë lote të Unazës së Madhe dhe e dyshuar edhe për disa tenderë të tjerë të rëndësishëm infrastrukture.
Gjatë ditës së djeshme, me vendim të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë kryer rreth 35 kontrolle në subjekte private dhe banesa, që lidhen me kompani dhe zyrtarë të institucioneve në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kontrollet janë fokusuar te biznesmenë që kanë përfituar tenderë rrugësh me vlerë miliona euro, aktualisht nën hetim nga SPAK.
Burime bëjnë me dije se kontrolle janë ushtruar edhe në ambientet e kompanisë “Gener 2”, në pronësi të Bashkim Ulajt, fituese e koncesionit të rrugës Thumanë–Kashar me vlerë mbi 245 milionë euro. Hetimet lidhen me dyshimet për ndërhyrje direkte të Ballukut në rikthimin e këtij koncesioni, i cili ishte pezulluar më herët nga qeveria.
Pjesë e kontrolleve ka qenë edhe biznesmeni Rrok Gjoka, përfitues i disa projekteve infrastrukturore, si dhe Ilir Shtufi, pronar i shoqërisë “Nova Construction – 2012”, një nga operatorët që fitoi Lotin 4 të Unazës së Madhe, procedurë që po ashtu po hetohet nga SPAK.
Kontrolle janë ushtruar edhe ndaj dy ish-vartësve të Ballukut, aktualisht nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ish-drejtori i ARRSH-së Gentian Gjyli dhe ish-kreu i KESH-it Erald Elezi. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë sekuestruar telefona celularë dhe dokumente, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës.
Në vijim të operacionit, BKH ka ushtruar kontroll edhe në banesën e drejtoreshës së re të KESH-it, Viola Haxhiademi, e cila deri pak ditë më parë mbante postin e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës. Po ashtu, kontrolle janë kryer edhe ndaj drejtoreshës së kabinetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Sindi Dushku, si dhe në banesat e disa personave të lidhur me kompani ndërtimi përfituese të tenderëve publikë.
Kontrollet janë miratuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake Erion Çela dhe janë kryer në orët e para të mëngjesit nga agjentët e BKH-së, me mbështetjen e Policisë së Shtetit. Hetimet po zhvillohen përmes metodave speciale, analizës së provave digjitale dhe veprimeve të tjera hetimore.
SPAK po vijon mbledhjen e provave shtesë lidhur me akuzat ndaj Ballukut dhe bashkëpunëtorëve të saj, ndërkohë që ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit për të hapur rrugën drejt një mase arresti ndaj saj.
Belinda Balluku mban postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej vitit 2019 dhe drejton një nga portofolët më të rëndësishëm të qeverisë. Ajo është aktualisht zyrtarja më e lartë në detyrë që përballet me akuza penale nga SPAK, në kuadër të një vale hetimesh që kanë përfshirë edhe figura të tjera të larta të qeverisë në vitet e fundit.
