Bilanci i viktimave nga tërmeti i dyfishtë që goditi Venezuelën është rënduar, ndërsa autoritetet raportojnë se numri i të vdekurve ka arritur në 1.430.
Presidenti i Parlamentit, Jorge Rodriguez, deklaroi për mediat shtetërore se 3.238 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa rreth 3.100 të tjerë kanë mbetur pa strehë si pasojë e katastrofës natyrore. Bilanci i mëparshëm zyrtar fliste për 920 viktima.
Sipas autoriteteve venezueliane, pas dy tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 janë regjistruar mbi 430 lëkundje pasuese. Ndërkohë, mbi 70 mijë familje kanë përfituar ndihmë emergjente, ndërsa fati i dhjetëra mijëra personave vazhdon të mbetet i panjohur.
Qeveria bëri të ditur se në vend kanë mbërritur më shumë se 1.600 anëtarë të ekipeve ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit. Sipas Ministrisë së Jashtme, 17 fluturime kanë transportuar ekipet e emergjencës, ndërsa 25 të tjera pritet të mbërrijnë gjatë 24 orëve në vijim.
“Falënderojmë bashkësinë ndërkombëtare për mbështetjen dhe solidaritetin e saj gjatë këtyre momenteve të vështira për qytetarët e Venezuelës”, deklaroi zyrtari i Ministrisë së Jashtme, Oliver Blanco.
Në qytetin bregdetar të La Guairës, një nga zonat më të prekura, banorët kanë raportuar mungesë të mjeteve të rënda dhe pajisjeve të nevojshme për operacionet e shpëtimit. Sipas dëshmive nga terreni, shumë familjarë kanë kërkuar të afërmit e tyre nën rrënoja me mjete rrethanore.
Autoritetet kanë kufizuar qarkullimin në rrugën kryesore që lidh La Guairën me Karakasin për t’i dhënë përparësi ambulancave dhe ekipeve të emergjencës.
Ndërkohë, një platformë e krijuar nga opozita ka regjistruar mbi 54 mijë persona të raportuar si të zhdukur nga familjarët, ndërsa autoritetet nuk kanë konfirmuar ende këtë shifër.
Furnizimi me energji elektrike vijon të rikthehet gradualisht në zonat e prekura. Sipas presidentes së përkohshme Delcy Rodriguez, deri tani është rivendosur rreth 60 për qind e rrjetit energjetik.
Vlerësimet paraprake të Kombeve të Bashkuara tregojnë se dëmet ekonomike të shkaktuara nga tërmeti mund të arrijnë në rreth 6.7 miliardë dollarë, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në disa nga zonat më të goditura të vendit.
