Ministri i Drejtësisë, Ulsi Gogu, deklaroi se institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale në Shënkoll, Lezhë, parashikohet të transformohet në një institucion të specializuar të shëndetit mendor për personat e dënuar që kanë nevojë për trajtim të tillë.
Gjatë një konference për shtyp, ministri tha se projekti është pjesë e planit të ministrisë dhe se zbatimi i tij do të kërkojë disa vite.
Sipas Gogut, objektivi është që personat e dënuar me probleme të shëndetit mendor të trajtohen sipas standardeve që zbatohen në vendet evropiane. Ai shtoi se forcimi i sigurisë dhe zgjerimi i programeve të rehabilitimit mbeten ndër prioritetet e institucionit.
Ministri njoftoi gjithashtu se Agjencia e Trajtimit të Pronave do të ofrojë dy ditë në javë takime të drejtpërdrejta me Drejtorin e Përgjithshëm për qytetarët që kanë çështje të lidhura me kompensimin dhe njohjen e pronësisë.
Sipas tij, të mërkurën do të trajtohen kërkesat që lidhen me kompensimin e pronave, ndërsa të enjten ato për njohjen e pronësisë, me synim përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.
Duke iu referuar zbatimit të ligjit për amnistinë penale, ministri deklaroi se rreth 2,300 persona kanë përfituar nga kjo masë. Ai theksoi se kriteret e amnistisë janë përcaktuar nga Kuvendi dhe se nga përfitimi janë përjashtuar personat e dënuar për vepra të tilla si krimi i organizuar, korrupsioni, vrasja në rrethana cilësuese dhe terrorizmi.
Sipas ministrit, shtatë të mitur që kanë përfituar nga amnistia po mbështeten me programe individuale për riintegrimin e tyre në shoqëri.
