Adri Nurellari: Protestat kanë thyer frikën, forca e tyre qëndron te qytetaria

Data

Studiuesi Adri Nurellari ka komentuar protestat qytetare që po zhvillohen në Tiranë, duke i cilësuar ato si një shprehje të reagimit qytetar dhe duke vlerësuar karakterin e tyre paqësor.

Në një lidhje televizive, Nurellari u shpreh se rezultati i parë i protestave ka qenë, sipas tij, thyerja e frikës dhe rikthimi i qytetarëve në hapësirën publike për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

“Protesta është dëshmi se qytetarët mund të vrasin frikën dhe heshtjen. Nëse më parë reagimi kryesor ishte largimi nga vendi, sot është zëri, e folura dhe revolta. Kjo tregon shpresë për të ardhmen. Rezultati i parë është thyerja e frikës”, deklaroi ai.

Sipas Nurellarit, pushteti nuk mbështetet vetëm te forca institucionale, por edhe te perceptimi i frikës, ndërsa protestat paqësore kanë potencial më të madh për të prodhuar rezultate.

“Pushteti nuk mbahet vetëm me polici dhe forcë, por edhe me frikë. Protestat paqësore kanë treguar se kanë dy herë më shumë rezultat se protestat e dhunshme. Forca e protestës nuk matet me sasinë e gurëve që hedh, por me qytetarinë”, u shpreh ai.

Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, protestat kanë ruajtur një profil qytetar dhe janë dalluar nga tubimet tradicionale të organizuara nga partitë politike.

“Kjo protestë nuk ka rënë në batakun e protestave të partive. Gjithashtu ka treguar qëndrueshmëri”, përfundoi Nurellari.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related