Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga drejtuesit politikë të Partisë Socialiste që të intensifikojnë kontaktet me qytetarët, duke i orientuar të lënë komunikimin vetëm në rrjetet sociale dhe të shtojnë praninë në terren.
Gjatë një mbledhjeje me drejtuesit politikë të qarqeve, Rama ka pranuar se debati publik është zhvendosur fuqishëm në hapësirën digjitale dhe ka kërkuar një angazhim më të madh të strukturave të PS-së në takime të drejtpërdrejta me qytetarët.
Sipas burimeve nga mbledhja, kryeministri u ka kërkuar deputetëve dhe drejtuesve vendorë të jenë më pranë komuniteteve, të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve dhe të mbajnë zyrat e partisë funksionale për të adresuar problematikat e tyre.
Mesazhi i tij ishte i qartë: komunikimi politik nuk duhet të mbështetet vetëm te rrjetet sociale, por edhe te prania e vazhdueshme në terren.
Rama kritikon edhe kryebashkiakët
Në një dalje publike për infrastrukturën urbane, kryeministri kritikoi disa kryetarë bashkish, të cilët sipas tij nuk po qëndrojnë pranë komuniteteve që drejtojnë.
Pa përmendur emra, Rama tha se ka marrë ankesa nga qytetarët për drejtues vendorë që largohen drejt Tiranës gjatë javës, duke lënë pas detyrat në bashkitë që administrojnë.
“Është e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund. Nëse vazhdon, herën tjetër do t’i përmend me emër. Kryetarët e bashkive duhet të jenë pranë qytetarëve dhe jo të largohen nga detyra para ditëve zyrtare të pushimit,” u shpreh ai.
Sipas Ramës, shqetësimet kanë ardhur kryesisht nga bashki të jugut dhe juglindjes së vendit, ndërsa ai u kërkoi drejtuesve vendorë të adresojnë menjëherë këtë problem.
Fokusi i PS-së
Mbledhja e fundit e socialistëve u zhvillua në një moment kur vëmendja politike është përqendruar te protestat në Tiranë, procesi i integrimit europian dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore. Gjatë verës pritet gjithashtu të nisë procesi për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të degëve të Partisë Socialiste në të gjithë vendin.
Në javët e fundit, Rama ka mbajtur një qëndrim të prerë ndaj protestave, duke deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen dhe duke i cilësuar ato si një fenomen të nxitur kryesisht nga dinamikat e rrjeteve sociale.
