Partia Socialiste pritet të paraqesë një propozim të ri për Reformën Administrativo-Territoriale, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 që janë aktualisht.
Sipas konceptit të mazhorancës, Shqipëria mund të ndahet në rreth 40 deri në 50 bashki.
Propozimi vjen pas mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, e cila u shoqërua me debate dhe përplasje lidhur me afatet e punës dhe etapat që duhet të ndjekë procesi.
Përfaqësues të opozitës kanë kërkuar shtyrjen e mandatit të Komisionit, duke argumentuar se nuk janë përfunduar ende dëgjesat, konsultimet dhe analiza e reformës ekzistuese.
Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe ndryshimet në ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe në ligjin për financat vendore.
Këto amendime do të përshtatin organizimin dhe financimin e pushtetit vendor me hartën e re territoriale.
Numri përfundimtar i bashkive dhe kufijtë e rinj administrativë do të përcaktohen pas diskutimeve në Komision dhe miratimit të reformës në Kuvend.
